Lidhje

Diversiteti në pyje

  • Rosanne Skirble

Jeta në tokë varet nga pyjet për oskigjenin. Pyjet shërbejnë si strehië për specie bimësh dhe kafshësh, parandalojnë erozionin e tokës, dhe ndihmojnë për mbajtjen e ngrohjes globale nën kontroll. Një projekt i rëndësishëm është duke u realizuar në Qendrën Kërkimore Mjedisore të Institutit Smithsonian afër Uashingtonit, për të studiuar pyjet në një shkallë të gjerë.

Një pyll i ri do të mbillet plotësisht vitin e ardhshëm dhe do të mbulojë dhjetë fusha me 35 mijë pemë.

Shkencëtari i institutit Smithsonian John Parker bëri planet për këtë projekt, të njohur si BiodiversiTree.

“Po përpiqemi të mësojmë nëse një ekosistem me shumë specie funksionon më mirë apo më keq se sa një ekosistem me pak specie”, thotë ai.

Zoti Parker shpreson të vërtetojë se diversiteti ka rëndësi në një shkallë të madhe, ndërsa pemët rriten me kalimin e kohës. Ata janë mbjellë pranë një pylli natyror dhe mbi një lumë që derdhet në Gjirin Çesapik, grykëderdhja më e madhe e Amerikës dhe një burim i madh uji të pijshëm për miliona njerëz. Zoti Parker thotë se cilësia e ujit nga këtu është e keqe, e përkeqësuar nga rrëshqitjet e lëndëve ushqyese këtu afër, duke përfshirë këtë ish-fushë misri.

“Studimi ynë merr parasysh 35 vite të dhënash. Pastaj ekuacionit i shtojmë një pyll. Dhe tani ne mund të krahasojmë se çfarë ndodh kur fusha është e mbjellë me misër dhe çfarë ndodh kur në vend të tij, kemi një pyll. Nëse ne mbjellim një sipërfaqe edhe më të madhe me pemë, a do të ndihmonte kjo për të eliminuar rrjedhjen në ujë të plehrave kimike që përdoren për misrin?”

Mbledhja e të dhënave vazhdon. Hulumtuesja nga Instituti Kërkimor i Smithsonianit Susan Cook Patton dhe stazhistja Emily Dubois mbledhin mostra gjethesh për të parë se si janë fidanët tani pas gjashtë muajsh që kur u mbollën.

“Nëse vëmë re dëmin nga insektet në këtë gjethe, unë do të thoja , se është rreth 10 për qind?”

Gjethet analizohen në laboratorin e saj. Zonja Cook Patton thotë se të dhënat ndihmojnë me krijimin e një ideje se si do të duket pylli gjatë shekullit të ardhshëm.

“Në qoftë se nuk kemi një bazë, nuk do të dinim se çfarë kemi humbur apo fituar. Pra, nëse ka diçka nga ku të nisemi, mund të mësohet shumë më tepër se sa në qoftë se ne vazhdojmë të kryejmë një eksperimente në dy, apo 10 vjet.”

Dhe prania e pyllit në peizazh do të jetë mbresëlënës. Tani për tani, edhe pse është e vështirë për t’i gjetur pemët mes barit të gjatë , vullnetari Phil Bishop kujton kur ai vetë mbolli 600 fidanë. Ai thotë se u lodh shumë, por ishte i gëzuar që ndihmoi.

“Unë mund të kontribuoj këtu, dhe unë kisha dëshirë të isha pjesë e një programi të tillë. Megjithatë, nuk ka gjasa t’i shoh frytet e kësaj pune, duke patur parasysh moshën time dhe rrethanat.”

Por, shton ai, puna vullnetare është e mirë për shpirtin dhe – në rastin e BiodiversiTree – e mirë për tokën, gjithashtu.
XS
SM
MD
LG