Lidhje

Guvernatori Christie shkarkon ndihmësen e tij të lartë


Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie, një nga personat e përmendur si kandidat kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, tha se ndjehet “i turpëruar” dhe “i lënduar” nga sjellja e disa anëtarëve të personelit të tij.
Zoti Christie foli sot për here të parë që kur u bënë publike mesazhet që linin të kuptohej se një nga ndihmësit e tij kryesorë kishte luajtur një rol qendror në një bllokim të qëllimshëm të trafikut në shtator, si shenjë hakmarrjeje ndaj kryetarit demokrat të bashkisë së qytetit Fort Lee, pasi ai nuk e kishte mbështur zotin Christie në zgjedhjen e tij në nëntor.

Ai njoftoi se kishte pushuar nga puna sot zëvendës shefen e personelit Bridget Ann Kelly, pasi e kishte gënjyer atë si edhe i kishte kërkuar një ndihmësi tjetër të implikuar që të largohej nga detyra.

Guvernatori Christie premtoi gjithashtu se do të shkonte në Fort Lee t’i kërkonte falje personalisht kryetarit të bashkisë dhe banorëve të qytetit, të prekur nga bllokimi i trafikut në disa korsi të urës Xhorxh Uashington një nga arteriet kryesore që lidh Nju Xhersin me Nju Jorkun.

Qyteti Fort Lee ndodhet nën hijen e urës më të ngarkuar të Amerikës, Xhorxh Washington. Ura është e paralizuar nga Nju Xhersi deri në Manhatan si rezultat i mbylljes së 2 prej 3 korsive. Trafiku në qytetin Fort Lee duket i krijuar qëllimisht si një hakmarrje politike para zgjedhjeve të nëntorit nga zyrtarë të lartë pranë guvernatorit Chris Christie. Shefi i policisë së qytetit Fort Lee Keith Bendul thotë.

“Banorët e qytetit Fort Lee rrezikohen nga kjo situatë".

Në fakt, në një letër nga drejtori i sherbimeve emergjente në Fort Lee, kryetari i bashkisë njoftohet për katër incidente të veçanta atë javë ku ekipet e emergjences ishin bllokuar si rezultat i trafikut të krijuar nga vetë njerëzit, përfshi vdekjen e një 91 vjeçari nga goditja në zemër pasi ekipet mjekësore ishin bllokuar si rezultat i trafikut të rënduar. Shefi i policisë së qytetit Fort Lee Keith Bendul:

“Është shqetësuese të zbulosh që njerëzit që supozohet të mbrojnë sigurinë publike aktualisht e dëmtuan atë.”

Email-et nga zëvendës shefja e stafit të guvernatorit Christie nënkuptojnë hakmarrje politike. Pasi kryetari demokrat i bashkisë në Fort Lee nuk pranoi të mbështeste guvernatorin republikan për t’u rizgjedhur nëntorin e kaluar, një email u dërgua ku thuhej, “ka ardhur koha për probleme trafiku në Fort Lee” dhe përgjigja ishte, “e kuptova”.
Kryetari i Bashkisë së qytetit Fort Lee, Mark Sokolich, shprehet.

“Duket se zemërova dikë dhe këto emaile janë shumë renduese.”

Më e keqja është se ndihmësit e guvernatorit festojnë kur situata në Fort Lee përkeqësohet.

Guvernatori Chris Christie nuk është i lidhur drejtpërdrejt me emailet apo sms e dërguara. Kundërshtarët e tij politikë po mendojnë se zyra që ai përfaqëson i ka kaluar caqet.
XS
SM
MD
LG