Lidhje

Gjykata urdhëron revistën të mos publikojë foto të tjera të dukeshës


Një gjykatë në Francë ka urdhëruar revistën franceze Closer të mos publikojë fotografi të tjera të dukeshës së Kembrixhit pa pjesën e sipërme të kostumit të saj të plazhit, duke kërkuar që ajo të dorëzojë të gjitha kopjet dixhitale të imazheve.

Gjykata tha se revista do të gjobitet me 13 mijë dollarë për çdo ditë vonesë të dorëzimit të pamjeve.

Javën e kaluar, revista botoi fotografi të papërshtatshme të Princit të Britanisë, William, dhe të bashkëshortes së tij, Kate, gjatë pushimeve në një vilë private në jug të Francës. Ata, me sa duket, nuk ishin të vetëdijshëm që po fotografoheshin.

William dhe Kate, të njohur dhe si Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, kanë ngritur edhe një padi që synon ndjekjen penale të redaktorit të revistës si dhe të fotografit që realizoi fotot.

Por vendimi i sotëm i gjykatës franceze nuk do të ndikojë tek mediat e tjera që publikojnë fotografitë. Mediat britanike kanë rënë dakord që të mos i përdorin imazhet, por fotografitë janë ribotuar nga një tabloid irlandez si dhe nga një revistë italiane.
XS
SM
MD
LG