Lidhje

Fotografimi i artit të rrugës


Disa fotografë në Los Anxhelos po dokumentojnë jetën dhe artin urban të qytetit të tyre. Midis tyre është Erwin Recinos, i cili e përqëndron aparatin e tij tek kultura në rrugë, me makinat e dekoruara dhe me artin mbi mure.

Erwin Recinos kap imazhe të makinave të modifikuara me iPhone-in dhe aparatin e tij fotografik. Këto makina klasike të modifikuara, ose “lowriders”, janë kaq të ulëta saqë pothuajse prekin tokën. Ato janë modifikuar nga disa klube makinash të komuniteteve hispanike të Los Anxhelosit dhe Erwin Recinos ka shkuar për të dokumentuar punën e tyre, si pjesë e një projekti të fotografëve lokalë. Projekti publikohet në një faqe interneti të quajtur Galleria Snapshot.

"Shumë prej këtyre klubeve makinash kanë ekzistuar për rreth 50 ose 60 vjet. Pra, kemi të bëjmë me ndikime kulturore të komuniteve," thotë Erwin Recinos.

Artistë grafitesh kanë zbukuruar disa magazina të kësaj lagjeje industriale. Grafitet shpesh konsiderohen si dëmtime të objekteve, por sot, shumë artistë kanë miratimin e pronarëve të ndërtesave, të cilët janë të lumtur t’i shtojnë ngjyra lagjes së tyre në qendër të qytetit. Fotografi Recinos thotë se këto murale janë punë e artistëve të brendshëm të qytetit, ndaj këta artistë përbëjnë një nga shumë kulturat e Los Anxhelosit.

"Kemi lagje të ndryshme me kulturën e surf-it, me kulturë skateboard-i, kulturë njerëzish në grupe, kulturë makinash dhe me kulturën e grafiteve."

Vëmendjen e tij e tërheqin edhe koshat e plehrave, kur janë të dekoruar.

"Ndonjëherë mbi ta ka art dhe mua më pëlqen shumë mënyra se si këta kosha plehrash bëhen pjesë e peizazhit ku ndodhen."

Ai thotë se Los Anxhelosi është i pasur me imazhe. Pamje të papritura, si një kurs për trajnimin e qenëve, ofrojnë mundësi për fotografi.

"Nuk mund ta dish se çfarë do të ndodhë. Duhet të ndjekësh rastësinë."

Ai thotë se fotografitë e tij ofrojnë një këndvështrim në jetën nganjëherë gri të një qyteti plot ngjyra.
XS
SM
MD
LG