Lidhje

Norman Hatch, fotografi i luftës në Tarawa

  • June Soh

Fotografi rikujton betejën e përgjakshme

Beteja për ishullin e vogël Tarawa të Paqësorit në vitin 1943 ishte një nga më të përgjakshmet e Luftës së Dytë Botërore. Reshteri i marinës amerikane Norman Hatch ishte dëshmitar i ngjarjes. Por në vend të një arme, Hatch mbante një aparat fotografik dhe pamjet që ai fiksoi ndihmuan për të ndryshuar pikëpamjen e amerikanëve mbi luftën. Korrespondentja June Soh e Zërit të Amerikës vizitoi fotografin e luftës në shtëpinë e tij pranë Uashingtonit, ku ai solli përsëri kujtimet e luftës së ashpër për ishullin.

"Këta janë fotografët e Divizionit Detar që zbarkoi në Tarawa. Unë jam ky këtu, në krye. Asnjëri prej tyre nuk është më gjallë”.

"Kurrë nuk e kam harruar betejën e Tarawës. Japonezët humbën rreth 4.000 njerëz vetëm në atë betejë. Ne patëm më shumë se 1000 të vrarë dhe rreth 2200 të plagosur në 76 orë.

Sot, pas 70 vjetësh, 91-vjeçari Norman Hatch i ka të freskëta kujtimet.

"Kur hyn në betejë, gjaku fillon të nxehet dhe ti bën detyrën që të kanë caktuar. Puna ime ishte të bëja fotografi. Duhej të fotografoja sa më mirë."

Hatch kishte një aparat me film 35-milimetër. Me këmbët në ujë, ai fotografonte shumë pranë ushtarëve që dilnin në breg.

"Duke parë përmes objektivit përpiqesha të fusja në kuadër historinë që po shpalosej. Ishte si në film. Në një farë mënyre ndihesha i shkëputur nga ajo që ndodhte rreth meje."

Edhe pse shihte shokët e tij të vriteshin, Hatch vazhdonte të dokumentonte betejën.

"Ushtarët që ishin në vijën e parë, kur më shihnin pranë më thonin, 'Çfarë bën këtu, largohu". Unë u përgjigjesha, "Më duhet të jem këtu, sepse publiku duhet ta dijë se çfarë po bëjmë. Dhe kjo është mënyra e vetme që ata të mund ta dinë.'”

Presidenti Franklin Roosevelt u desh të jepte leje të veçantë për publikimin e fotografive të Hatchit, sepse aty kishte pamje të tmerrshme dhe disa herë makabër.

"Askush nuk e kishte pasqyruar realitetin e një beteje. Tarawa ishte filmi i parë i luftimeve që publiku pa nga afër. Ne kishim në objektiv si njerëzit tanë edhe japonezët."

Puna e fotografit është përfshirë në filmin dokumentar Me Marinsat në Tarawa, i cili fitoi çmimin Oscar në vitin 1944.

Ajo është paraqitur edhe në dokumentarin e ri të regjisorit Steven C. Barber, Until They Are Home. Filmi është një kronologji e përpjekjeve për të gjetur eshtrat e marinsave të rënë dhe sjelljen e tyre në atdhe, gati shtatë dekada pas asaj beteje në ishullin e Paqësorit.

"Pas luftës, shumë njerëz më thoshin" Si ka mundësi që kalove përmes fushës së betejës dhe nuk u godite? 'Unë nuk kam asnjë përgjigje për këtë. Në luftë merr guximin dhe shpreson të fitosh. Kështu e ka lufta."

Trego komentet

XS
SM
MD
LG