Lidhje

Fotografi që u kthye në Japoni për të dëshmuar fatkeqësinë


Fotografi që u kthye në Japoni për të dëshmuar fatkeqësinë
Fotografi që u kthye në Japoni për të dëshmuar fatkeqësinë

Numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami që goditi Japoninë veriore më 11 mars ka kaluar 14-mijëshin. Gati po aq njerëz figurojnë të zhdukur. Ndërsa vazhdojnë përpjekjet e rimëkëmbjes, një artist nga Los Anxhelosi, autor fotografish nga Japonia për botime të ndryshme, u kthye atje për të parë se si ka ndryshuar jeta në rajonin e prekur.

Mark Eduard Haris ka udhëtuar shumë herë nëpër Japoni për të fotografuar pamjet e saj, përfshirë llixhat e famshme. Ai vizitoi vitin e kaluar krahinën piktoreske Tohoku në verilindje të Japonisë, katër muaj para tërmetit dhe cunamit shkatërrues.

Zoti Haris vendosi që të kthehet, duke thënë se ai ndjeu detyrimin për të treguar ngjarjet që përjetoi populli, kështu që kontaktoi një mik, Joshi Ohkuma, i cili punon për një agjenci udhëtimesh.

“Në fillim ai më tha, ‘Mos eja se tani nuk është kohë e mirë. Kemi pësuar shkatërrime...’. Por pastaj u mendua dhe më dërgoi menjëherë një email e më thoshte, “Ky është pikërisht çasti i duhur dhe unë dua të jem pjesë e udhëtimit. Nuk do ta bëj këtë si punë zyrtare, sepse nuk është turizëm, por është e rëndësishme për të treguar ngjarjet”.

Të dy burrat shkuan me makinë në zonën e prekur në prefekturat Mijagi dhe Iuate. Një muaj pas fatkeqësisë, kërkimi për të mbijetuarit kishte përfunduar. Ekipet e shpëtimit u larguan dhe në vend të tyre erdhën ekipet me qentë nuhatës, që vazhdojnë të kërkojnë për trupa nën rrënoja.

Fotografi Haris thotë se janë krijuar kontraste të zymta:

“Kur je disa metra mbi nivelin e detit papritmas, gjithçka duket mirë. Por pastaj kalon një kodër dhe zbret përsëri në qytetin tjetër, sheh që gjithçka është zhdukur. Gjatë gjithë rrugës së gjatë që përshkuam me makinë, ishte po e njëjta gjë”.

Ai thotë se skenat në qytetet e goditura ishin të habitshme. Në Ocuçi, për shembull, një anije udhëtimi ka ngelur mbi kulmin e një ndërtese, ndërsa banorët vendas përpiqen t’i kthehen jetës normale.

“Në një vend të quajtur Kamaiçi, një anije e madhe theu murin mbrojtës të detit. Por para kësaj skene shihje njerëzit tek merreshin me punë të përditshme, ndonëse ishte një pamje tejet surrealiste me anijen mbi ndërtesë”, - thotë ai.

Duke përshkruar fotografitë, ai thotë se lodrat e fëmijëve mund t’i shihje kudo, bashkë me dëshmi të tjera të jetës që për shumë njerëz kishte përfunduar papritmas.

Ai thotë se njerëzit donin t’u tregonin se ç’kishte ndodhur. Në periferi të Sendait, një e mbijetuar e quajtur Çie i çoi ata në një kopsht fëmijësh që kishte shërbyer si vend-strehim në një zonë që mendohej të ishte e sigurt.

“Njerëzit që u strehuan në katin e dytë të kësaj ndërtese shpëtuan, por jo ata në katin e parë. Vala e detit arriti shumë më larg se pritej, duke prekur edhe këtë zonë që ishte me të vërtetë në brendësi”, - thotë Harris.

Zoti Haris thotë se ai dhe shoku i tij nga agjencia turistike u prekën thellë nga pamjet e shkatërrimit, fatkeqësi kjo më e rënda që ka përjetuar Japonia qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ishte një skenë surreale. Joshi thoshte se kështu duhet të ketë qenë po të ecje nëpër Hiroshimë pas 6 gushtit 1945”.

Zoti Haris thotë se ishte gjithashtu e qartë se një hapësirë prej më pak se një metri mund të sillte dallimin mes jetës dhe vdekjes. Në një ndërtesë, uji arriti deri në katin e katërt; kati i pestë mbeti i paprekur.

Fotografi pati shkruar më parë në një libër mbi llixhat e Japonisë se mënyra e jetesës dhe bukuritë piktoreske natyrore janë mundësuar nga vendndodhja në të ashtuquajturën unazë të zjarrit, rajoni i Paqësorit i njohur për malet dhe vullkanet, tërmetet dhe cunamet. Ai thotë se japonezët janë rimëkëmbur nga fatkeqësitë e kaluara, dhe përkundër shkatërrimit, ata me të cilët ka folur thonë se do t’ia dalin mbanë përsëri.

XS
SM
MD
LG