Lidhje

Fotoreporterët e luftërave rrezikohen gjatë operacioneve


Fotoreporterët e luftërave rrezikohen gjatë operacioneve
Fotoreporterët e luftërave rrezikohen gjatë operacioneve

Korrespondentët e luftës shpesh e vënë veten në rrezik dhe në mënyrë të pashmangshme, disa prej tyre vdesin duke bërë punën e tyre. Pesë prej tyre kanë humbur jetën këtë vit vetëm në Libi. T’i hedhim një vështrim çështjes se pse fotoreporterët vënë jetën në rrezik për të mbuluar luftërat.

Këto janë imazhe nga Restrepo, një film për një skuadër të ushtrisë amerikane në Luginën Korengal në Afganistan, e quajtur lugina e vdekjes. I xhiruar gjatë një viti, dokumentari u emërua për çmim Oscar këtë vit. Një nga regjisorët, Tim Hetherington thotë se ai donte që njerëzit të kuptonin luftën.

"Dokumentari nuk synon thjeshtë të shprehë indinjatën morale. Synimi i tij është të tregojë se jemi në luftë dhe të sjellë emocionet që ngjall të qënët në luftë”.

Tim Hetherington u vra në muajin prill në Libi. Kolegu i tij, regjisori tjetër i filmit Restrepo, Sebastian Junger, thotë se vdekja e Hetherington-it e tronditi shumë, por nga ana tjetër shton ai i ka marrë parasysh rreziqet.

"Nuk do të kishim një shoqëri të informuar apo një botë të informuar pa shpërndarjen e lirë të informacionit. Gazetarët luajnë një rol të pazëvendësueshëm në këtë drejtim dhe në një farë mase janë të gatshëm të vënë në rrezik edhe jetën për këtë”.
Drejtori i Fotografisë i Associated Press-it, Santiago Lion është i të njejtit mendim se njoftimi nga fronti i luftës, pa besuar se ai kontribuon për një shoqëri të lirë, është humbje kohe. Por ai thotë se gazetarët mund të kenë edhe motive të tjera.

"Përvoja në frontin e luftës ose në konflikte është shumë frymëzuese, sepse jeta e dikujt është në rrezik dhe siç është thotë shprehja e famshme e Uinston Çërçillit, ‘Nuk ka gjë më të rëndë në jetë se sa të qëllohesh më kot’”.

Kjo, thotë Lion, i intrigon dhe i nxit ata fotoreporterë që shikojnë për ngjarje të veçanta.
Fotoreporterët kanë ndjekur luftimet që nga vitet 1850-të, kur sollën laboratorët e tyre në Luftën e Krimesë. Kjo fotografi e Luftës Civile është marrë nga Methju Bredi, një nga pionierët e fotografisë së Luftës Amerikane. Filmi dokumentar solli pamje të Luftës së Parë Botërore, ndërsa sot pajisjet kompakte u krijojnë mundësi gazetarëve të jenë krah për krah me ushtarët gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Fotografitë nuk janë mjet për t’i dhënë fund luftës, por zoti Lion thotë se ato mund të ndihmojnë për ta kthyer opinionin publik kundër tij, siç ndodhi me disa imazhe gjatë Luftës së Vietnamit.

"Por në një aspekt tjetër, mendoj se ekziston besimi se nëse fotografia jote influencon vetëm një njeri dhe e bën të ndryshojë mendim, një një farë mënyre ndërmarrja ka qënë e vlefshme”.

Sebastian Junger thotë se është e lehtë të përshkruash një betejë. Ai e karakterizon atë si një lojë futbolli me armë, momente dramatike, të shoqëruara nga llogjika, vrit para se të vritesh. E vështirë është, thotë ai, të përshkruash moralitetin e saj. Ai e lidh këtë me diçka që i ka thënë dikur një veteran amerikan.

"Ata po përpiqeshin të vrisnin vëllezërit e mi, por unë i vrava ata i pari. Por është edhe një aspekt tejtër, përse po luftonin, qoftë ne, qoftë ata? Çfarë do të thoshte Zoti’. Madje edhe për këtë veteran, që nuk besonte tek zoti, kjo ishte diçka që e shqetësonte”.

Zoti Junger thekson se vetëm imazhet nuk janë të mjaftueshme për të përshkruar betejën, prandaj ai shkruajti librin “Lufta” për të shpjeguar më tej dokumentarin e tij. Santiago Lion është dakord. Ai thotë se fjalët i shtojnë nuanca fotografisë dhe anasjelltas. Madje, me kamera apo me penë, korrespondentët e luftës vënë jetën në rrezik për të treguar ngjarjet.

XS
SM
MD
LG