Lidhje

Franca dhe projektligji për ndalimin e shamive myslimane të kokës


Franca dhe projektligji për ndalimin e shamive myslimane të kokës
Franca dhe projektligji për ndalimin e shamive myslimane të kokës

Ministrja franceze e Drejtësisë Mishel Aliot-Mari i paraqiti sot kabinetit një projektligj i cili propozon ndalimin e shamive myslimane që mbulojnë fytyrën, hapi i parë zyrtar i një procesi për ta ndaluar një veshje të tillë në të gjitha mjediset publike në Francë.

Projektligji parashikon një gjobë prej 150 eurosh dhe në disa raste edhe klasa mbi nënshtetësinë për gratë që shkelin ligjin në mënyrë të përsëritur. Masa dënon me 15 mijë euro gjobë edhe ata që nxisin të tjerët të mbulohen. Ministrja franceze e Drejtësisë thotë se projektligji thekson vlerat mbi të cilat është ndërtuar Republika Franceze. Teksti i ligjit, i cili mund të ndryshohet në parlament, parashikon 6 muaj vonesë në zbatimin e tij për ta shpjeguar, çka do të thotë se ai nuk do të hynte në fuqi deri në fillim të 2011-ës.

“Në fillim do të përpiqemi t’i informojmë njerëzit. Gjatë 6 muajve të parë pas miratimit të ligjit, në bashkëpunim me autoritetet fetare, shoqatat dhe kryetarët e bashkive do të përpiqemi t’i bindim dhe t’u shpjegojmë se pse koncepti i jetës në shoqëri kërkon edhe mundësinë për të parë fytyrën e tjetrit,”
thotë Ministrja franceze e Drejtësisë.

Megjithëse Ministria e Brendshme përllogarit se janë vetëm rreth një mijë e 900 gra që mbulojnë fytyrën me shami apo niqab, ligji i planifikuar do të ishte një moment tjetër përcaktues për Islamin në Francë, ndërkohë që vendi përpiqet të afrojë popullatën e saj prej rreth 5 milion myslimanësh, më e madhja në Evropën perëndimore, më pranë prirjes së përgjithshme, qoftë edhe përmes forcës së ligjit.

Ligji do të paraqitet në parlament në korrik, dhe pavarësisht nga debati i zjarrtë që do të zhvillohet me siguri, nuk ka shumë dyshim se kjo masë do të miratohet. Propozimi ka shkaktuar tashmë reagime të forta nga gratë myslimane.

“Ne kemi të drejtë të veshim çfarë të duam. Është e drejta jonë. Nëse nesër miratohet një ligj i tillë në parlament, nuk do të jemi ne të jashtëligjshëm, por është kjo masë që duhet të jetë e jashtëligjshme. Shteti dhe qeveria ka vendosur ta hapë këtë debat që po u jep shtetasve francezë të drejtën të tregohen agresivë ndaj nesh dhe të bëhen islamofobikë. Ata po përpiqen t’i frikësojnë francezët duke i bërë të besojnë se gratë që mbulohen janë terroriste,” thotë një grua.

Si rrallë ndonjëherë, rreth 6 gra franceze myslimane u takuan me gazetarët në Motrëj dje për të shprehur shqetësimin e tyre mbi ndryshimet, për të cilat ato thonë se do të ndikojnë tek thelbi i jetës së tyre.

“Për sa i përket pyetjes se çfarë do të bëj nëse ligji miratohet, dua të jem e qartë. Unë jam 31 vjeçe dhe kam veshur niqab që kur isha 16 vjeçe. Për mua është e pamundur ta heq atë, unë madje nuk di më se si ta heq.”


Një ndalim i tillë i shamive po planifikohet edhe në Belgjikën fqinje.

Franca i ka ndaluar shamitë myslimane të kokës dhe simbole të tjera fetare nga shkollat që në vitin 2004.
Por projektligji i fundit ka si objektiv “dinjitetin e personit” më shumë se sa çështjet e sigurisë, siç spekullohej më parë. Nuk është ende e qartë nëse kjo do t’i hapte rrugë më shumë apelimeve në bazë të Kushtetutës.

Qeveria franceze vendosi të vepronte kundër paralajmërimit të Këshillit të Shtetit, organit më të lartë administrativ francez, i cili thoshte se një ndalim i plotë kishte të ngjarë të mos përmbushte standartet kushtetuese.

XS
SM
MD
LG