Lidhje

Negociatat mes Francës dhe Nigerit për uranium


Nigeri dhe firma franceze që merret me nxjerrjen e mineralit të uraniumit Areva, mbeten të bllokuara në negociata rreth mënyrës se si të ndajnë të ardhurat. Aktivistët dhe organizatat joqeveritare janë përfshirë në debat dhe të thonë se Nigeri meriton një pjesë më të madhe të fitimeve.

Qeveria e Nigerit po negocion një kontratë të re minerare me kompaninë shtetërore franceze Areva.

Aktivistët thonë se për dekada Areva ka operuar në Niger pa paguar pjesën që i takon të taksave apo të të ardhurave nga fitimet.

Ibrahima Aidara është menaxher me organizatën Nisma e Shoqërisë së Hapur në Afrikën Perendimore.

“Uraniumi është një industri e madhe për Nigerin. Disa thonë se është vendi i katërt më i madh në botë për prodhimin e uraniumit. Por fatkeqësisht, Nigeri nuk po përfiton shumë pasi nuk po merr të ardhura të mira dhe dëmet në shoqëri dhe në mjedis janë gjithashtu të mëdha."

Nigeri është një nga vendet më të varfëra të botës. Banka Botërore thotë se gati 60 përqind e banorëve jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Një studim nga Nisma për Transparencë në Industrinë e Shpimit thotë se Areva ka nxjerr uranium me një vlerë prej më shumë se 4.8 miliardë dollarësh nga Nigeri në vitin 2010.

Kontrata e fundit e firmës Arevas me Nigerin, e cila skadoi më 31 dhjetor, u nënshkrua në vitin 2001. Ajo bazohej kryesisht në ligjin e Nigerit të vitit 1993 për minierat, i cili jo vetëm përjashtonte kompanitë nga tatimet e eksportit të uraniumit, por edhe nga të gjitha tatimet dhe taksat mbi vlerën e shtuar të materialeve të minierave dhe pajisjeve.

Zoti Aidara thotë se Areva paguan vetëm 5 presje 5 përqind taksa në Nigeri, në një kohë që duhet të paguajë 12 përqind ose më shumë.

Përveç kësaj, në vitin 2013, Areva përfitoi gati 440 milionë dollarë nga përjashtimi i taksave.

Anne-Sophie Simpere punon në departamentin që shqyrton taksat dhe industrinë e minierave në organizatën Oxfam. Ajo thotë se Nigeri nuk po merr atë që i takon.

“Ne llogarisim se me TVSH-në që Areva duhet të paguajë, ata mund të mbulojnë kostot për sistemin e tyre falas të shëndetësisë për njerëzit në nevojë dhe të mbështesin sistemin e tyre financiar në vështirësi.… Kështu që nga njëra anë është vendin më të varfër në botë që ka nevojë për para, financime për zhvillimin e tij dhe nga ana tjetër ke korporata të mëdha që kanë nevojë për uranium si bazë të biznesit të tyre.”

Për ta bërë nxjerrjen e uraniumit nga kompanitë shumëkombëshe më fitimprurëse për Nigerin, u nënshkrua një ligj i ri për kodin e minierave në vitin 2006.

Në teori, kontrata e ardhshme mes Nigerit dhe Arevas duhet të reflektojë kodin e ri. Por Areva thotë se termat e këtij kodi do ta bënin nxjerrjen e uraniumit në Niger jo të vlefshëm.

Ali Idrissa është koordinator kombëtar për një rrjet organizatash që bëjnë fushatë për transparence dhe përgjegjësi në sektorin e minierave. Ai thotë se Areva duhet të respektojë termat e kodit të ri të minierave dhe t’i jap më në fund Nigerit atë që meriton.

Ai thotë se “për më shumë se 40 vjet, Areva ka nxjerr uranium në Niger dhe Nigeri vazhdon të jetë i varfër. Nuk është normale që një vend të mos përfitojë nga burimet e veta” thotë ai. “Përse shpimi i uraniumit nuk sjell asgjë tjetër veçse sëmundje, kur Areva pasurohet?” pyet ai. “Nuk mund të vazhdojmë me një partneritet të padrejtë.”

Negociatat mes qeverisë dhe Arevas po vazhdojnë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG