Lidhje

Marrëveshja Francë-Rusi për luftanijet

  • Henry Ridgewell

Franca shtyu një marrëveshje për t’i shitur Rusisë dy anije luftarake të teknologjisë së avancuar. Presidenti francez Hollande tha të mërkurën se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainën lindore nënkupton që nuk janë kushtet e duhura për të përmbushur këtë marrëveshje. Francës do t’i duhet të paguajë një faturë të madhe për ndalimin e kontratës. Në kantierin detar Saint-Nazaire ku po ndërtohen anijet, ka një zemërim të banorëve vendas për prishjen e kontratës.

Në kantierin Saint-Nazaire, qëndron e ankoruar anija Vladivostok, e cila është ndërtuar për të mbajtur helikopterë dhe tanke për zbarkime nga deti. Ajo është e para ndër dy anijet që duhet t’i dorëzohen Rusisë, si pjesë e një marrëveshje me vlerë mbi 1,5 miliardë dollarë. Parisit tashmë mund t’i duhet t’i kthejë paratë.

Drejtori për Politikën e Jashtme në Qendrën për Reformim Evropian në Londër, Ian Bond, thotë se duke qenë se Rusia po akuzohet për dërgimin e trupave në Ukrainën lindore, Franca nuk ka zgjidhje tjetër.

“Jam i sigurtë që presioni nga vende të tjera anëtare të NATO-s do të ketë pasur një ndikim mbi francezët. Por mund të them se edhe ndërmjet vetë njerëzve që po i ndërtojnë këto anije, ka patur shqetësim për atë ç’po bëjnë dhe për arsyet pse po e furnizojnë Rusinë me këto anije në rrethanat aktuale.”

Nuk është e qartë se çdo t’u ndodhë punonjësve të firmës kryesore që ndërton anijet, STX.

Jeane-Claude Blanchard është udhëheqës i partisë së krahut të djathtë “Fronti Kombëtar” në Saint-Nazaire, e cila po e mbron me forcë marrëveshjen.

“Nuk mendoj se nëse Rusia do të donte të fillonte luftën me dikë, do t’u nevojiteshin këto anije. Mendoj se marina ruse është ende e mirëpajisur. Këto anije mbështesin drejtpërdrejt 800 vende pune vetëm nëpërmjet firmës STX. Pastaj ka dhe mijëra vende pune për furnitorët dhe nën-kontraktorët.”

Pranë anijes Vladivostok vazhdon puna me një anije tjetër që duhej t’i ishte dorëzuar Rusisë, anije që ironia e fatit e desh të quhet Sevastopol, si porti detar i Krimesë që ishte pjesë e Ukrainës përpara marrjes me forcë nga Rusia në muajin mars.

Banorët e Saint-Nazaire thonë se shitja e anijeve Rusisë nuk lidhet vetëm me mbështetjen e ekonomisë lokale. Kjo ka të bëjë edhe me sovranitetin e Francës.

Gauther Bouchet është një tjetër anëtar i këshillit të qytetit, sërish i partisë Fronti Kombëtar.

“Qëndrimi ynë është që të mbajmë premtimin ndaj Rusisë dhe mos të mbetemi peng i kërkesave të bëra nga qeveri të tjera. Franca duhet të jetë sovrane.”

E ankoruar dhe e rrethuar me një gardh të lartë, fregata ruse Smolny është streha e 400 marinarëve rusë që janë dërguar për t’u trajnuar me anijet e reja të tipit Mistral. Mbetet e paqartë se çdo të bëhet me ta.

Zëri i Amerikës u përpoq të fliste me disa prej tyre. Ata nuk dhanë përgjigje dhe u munduan të fotografonin targat e makinës tonë.

Vizitorët rusë dhe anijet e tipit Mistral janë shndërruar në një pikë interesi turistik. Joel Lauvaux ndodhet në zonë.

“Është çështje delikate, në kuptimin që anijet janë ndërtuar dhe është bërë pagesa. Disa thonë se anullimi i kontratës mund të provokojë edhe më shumë tension. Por, duke qenë se kjo nuk është e qartë, unë mendoj se është më mirë të anullohet kontrata se sa t’i jepen anijet Rusisë.”

Një marshim është planifikuar këtë të dielë në Saint-Nazaire për të protestuar kundër shtyrjes së kontratës. Parisi dhe aleatët e NATO-s thonë se ata ndjejnë simpati për punonjësit lokale, por në rend të parë duhet të jetë siguria e Evropës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG