Lidhje

Franca dhe ekstremizmi islamik


Incidenti i së mërkurës në Paris, në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo që kishte botuar karikatura të Profetit Muhamet është më vdekjeprurësi, por nuk është i vetmi sulm terrorist nga ekstremistë islamikë në Francë. Franca është bërë edhe më parë objekt i sulmeve nga ekstremistë islamikë:Në fund të vitit 2014 kryeministri francez tha se Franca nuk kishte qenë kurrë më parë përballë një kërcënimi më të madh terrorist. Që nga vera e 2013, sipas policisë franceze, janë zbuluar dhe parandaluar pesë komplote për sulme terroriste.

Eksperti i çështjeve të sigurisë ndërkombëtare Shaun Gregory thotë se Franca është dhe ka qenë prej dekadash në vijën e parë të kërcënimit nga terrorizmi islamik në Evropë.

“Për të gjetur një krahasim me sulmin e së mërkurës duhet të analizojmë peridhën e mesit të viteve 1990, kur Franca ishte objekt i valës së pare të terrorit islamik në Evropë. Një numër sulmesh terroriste u ndërmorën para sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara”.

Në 1995, një bombë shpërtheu në një tren pasagjerësh në Paris duke vrarë tetë vetë dhe duke plagosur më shumë se 100. Ky ishte një ndër incidentet e dhunshme për të cilat u fajësuan ekstremistë algjerianë. Një vit më pas një tjetër shpërthim në të njëjtin tren la katër të vrarë dhe plagosi afro 100 vetë.

Zoti Gregory thotë se pas kësaj periudhe situata u qetësua, pjesërisht si rezultat i klimës politike: Franca nuk u fut fillimisht në luftën në Irak dhe u përpoq të distancohej disi nga Evropa dhe aleatët në NATO.

Por në vitet e fundit kërcënimi terrorist është rritur. Statistikat e Europolit nga viti i kaluar tregojnë se në Evropë ka pasur mbi 500 incidente terroriste, thuajse gjysma e tyre në Francë dhe 40% e arrestimeve që lidheshin me komplote terroriste u regjistruan në Francë.

Charlie Hebdo që u sulmua të mërkurën është sulmuar edhe më parë. Në 2011 zyrat e revistës u dëmtuan nga një bombë zjarri e hedhur nga dritarja, një ditë pasi botoi një karikaturë të Profetit Muhamet.

Zoti Gregory thotë se rizgjimi i kërcënimit terrorist mund të shpjegohet pjesërisht nga ndryshimet në politika:

“Franca mori pjesë në misionin e stabilizimit në Afganistan. Ajo u mobilizua me një rol më të madh në Afrikën Veriore dhe në trazirat në Marok dhe Libi. Po ashtu zhvilloi operacione në Mali në 2012 dhe 2014”.

Franca ka popullatën më të madhe myslimane në Evropë, që llogaritet në afro pesë milionë vetë.

Zoti Gregory thotë se opinioni që ekziston për qëndrimin dhe politikat e Francës ndaj komunitetit mysliman kanë kontribuar për ta acaruar problemin. Për shembull: ndalimi i perçeve në vende publike dhe i shamive të kokës në shkolla shtetërore:

“Po ashtu ekziston përshtypja se komuniteti mysliman në Francë është nën presion më të madh, si rezultat i politikave shtetërore për të theksuar natyrën laike të shtetit dhe për të përjashtuar simbolet fetare nga vende publike. Këto faktorë e kanë vënë përsëri Francën në vijën e parë të terrorizmit në Evropë”.

Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme, afro 400 shtetas francezë luftojnë me grupe xhihadiste në Siri dhe Irak, ndërsa qindra të tjerë mendohet se po përgatiten për t’u bashkuar me këto grupe. Rreth 200 prej tyre janë kthyer në Francë ku janë ndaluar nga autoritetet dhe janë pritje të gjykimit.

Eksperti i terrorizmit Bill Tupman, pedagog në Universitetin Exeter thotë se në klimën politike aktuale në Francë, sulmi ndaj revistës Charlie Hebdo do të ketë ndikim të madh mbi zhvillimet politike dhe sociale.

“Në incidentet e mëparshme mbështetja për ekstremin e djathtë ka qenë mjaft e ulët. Por aktualisht në pjesë të tjera të Evropës mbështetja për lëvizje të ekstremit të djathtë dhe forca ekstremiste kundër imigracionit është shumë më e fortë se kurrë më parë në Evropë”.

Ai thotë se sulmi vdekjeprurës i së mërkurës ka gjasa të rrisë ndjenjat anti-myslimane.

XS
SM
MD
LG