Lidhje

Franca zbaton ligjin kundër perçeve


Franca zbaton ligjin kundër perçeve
Franca zbaton ligjin kundër perçeve

Franca u bë vendi i parë që zbaton ligjin kundër perçeve apo shamive që mbulojnë fytyrën sipas traditës së besimit mysliman.

Janë këto shërbimet e lutjeve të së premtes në Xhaminë Fraternite – apo Vëllazëria, në Aubervilliers. Dhoma e grave është e mbushur dhe pasqyron shumëllojshmërinë e pasur të Francës me imigrantë. Veshjet e tyre janë shumëngjyrëshe, që nga veshjet tradicionale të Afrikës Veriore dhe fustanet e Afrikës nën-sahariane e deri tek ato që përdorin ferexhetë e zeza për të mbuluar kokën dhe fytyrën.

Shërbimi i imamit dëgjohet me vëmendje. Dhomat e grave dhe burrave në xhami janë komplet të veçuara. Ai po qorton të rinjtë dhe të rejat që shoqërohen me njëri tjetrin në publik në se nuk kanë lidhje familjare.

Për 22 vjeçaren Someya, kjo është e premtja e fundit që ajo shkon në xhami e veshur me ferexhe. Të hënën, legjislacioni i ri francez hyri në zbatim dhe ndalon gratë të përdorin ferexhe.

Someya thotë se i vjen keq të heq shaminë pasi ajo deklaron besimin e saj mysliman. Ajo thotë se filloi ta përdorë perçen gjashtë muaj më parë, si një zgjedhje personale.

24 vjeçarja studente Yamina përdor shaminë që nuk e mbulon fytyrën.

"E vesh hixhabin dhe jo ferexhenë pasi nuk më është dhënë mundësia.... pasi ligjet janë kundër nesh dhe kundër myslimanëve".

Por Sarah Morvan, një 18 vjeçare e konvertuar myslimane thotë se do të vazhdojë ta verë shaminë pavarësisht ligjit. Ajo thjesht do të qëndrojë më shumë në shtëpi.

Duke veshur ferexhenë, thotë Morvani ndjehem e mbrojtur nga vështrimi i burrave dhe i të panjohurve. Ajo ndjehet e përjashtuar nga shoqëria.

Kjo është arsyeja që përkrahësit e përdorimit të ferexheve po luftojnë ligjin. Ndërsa qeveria llogarit se vetëm gati 2 mijë gra përdorin ferexhenë në Francë, mbrojtësit e ligjit argumentojnë se ligji është i nevojshëm nëse gati 6 milionë myslimanët –shumë prej tyre imigrantë – duan të integrohen.

Legjislacioni ka pasur si nismëtar presidentin Nicolas Sarkozy i cili thotë gjithashtu se është e rëndësishme të sigurohet respektimi i të drejtave të grave dhe të ndahet kisha nga shteti.

Në fjalime si ky, në vitin 2009 zoti Sarkozy tha se nuk ka vend për ferexhe në Francë. Nuk ka vend në Francë për nënshtrimin e grave – në asnjë mënyrë.

Por shumë myslimanë – përfshi ata që nuk veshin apo miratojnë veshjen e shamive – pretendojnë se po vihen pa të drejtë në shënjestër. Ata thonë se zoti Sarkozy dhe partia e tij po diskriminojnë myslimanët pjesërisht për të tërhequr votuesit e së djathtës ekstreme para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Javën e kaluar partia e zotit Sarkozi Bashkimi për Lëvizje Popullore, UMP, ngjalli kritika të ngjashme duke zhvilluar një debat mbi islamin dhe laicizmin.

Në xhaminë në Aubervilliers, Malika që nuk vesh shami – kujton zotin Sarkozy duke folur para një grupi mysliman konservator pak vjet më parë – kur ishte ministër i brendshëm.

Malika thotë se zoti Sarkozi u tha grave që morën pjesë në takim të hiqnin shamitë. Gratë u përgjigjën duke valvitur kartat e tyre të identitetit – duke i thënë se ishin franceze dhe myslimane dhe ishin krenare për këtë fakt.

Sipas legjislacionit gratë që veshin ferexhe në publik rezikojnë të gjobiten me 200 dollarë dhe të marrin klasa riedukimi. Ata që detyrojnë gratë të veshin ferexhe përballen me gjobë më të lartë – gati 41 mijë dollarë dhe një vit burg.

Belgjika miratoi një ligj të ngjashëm vitin e kaluar dhe vende të tjera evropiane po shqyrtojnë të njëjtën mundësi, por Franca është e para që po e zbaton atë.

XS
SM
MD
LG