Lidhje

Franca i quan të “papranueshme” përgjimet amerikane


Presidenti francëz Francois Hollande, reagoi pas pohimeve se Agjencia Amerikane e Sigurisë Kombëtare mund të ketë përgjuar tre presidentët e fundit francezë

Franca tha se do të dërgojë koordinatorin e saj të zbulimit në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar njoftimet e bëra nga WikiLeaks se Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare, NSA ka përgjuar tre presidentët e fundit francezë. Zyra e presidentit Francois Hollande, tha se përgjimet e dyshuara, nga Shtetet e Bashkuara të telefonave të tij dhe të dy para-ardhësve të tij, janë të ‘papranueshme” dhe se Franca nuk do të lejojë asgjë që kërcënon sigurinë e saj.

Qeveria franceze reagoi me zemërim pas njoftimeve për spiunazh nga Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare, NSA. Presidenti François Hollande thirri një takim urgjent të Këshillit të Mbrojtjes të mërkurën në mëngjes për të diskutuar njoftimet e publikuara në faqen elektronike franceze Mediapart dhe gazetën majtiste Libération. Zyrtarët thanë se ambasadorja amerikane në Francë u thirr në zyrën e ministrit të Jashtëm francez, Laurent Fabius, për të diskutuar çështjen.

Zëdhënësi i qeverisë Stephane Le Foll tha se një zyrtar i lartë i zbulimit francez do të dërgohet në Shtetet e Bashkuara për të konfirmuar se këto praktika kanë përfunduar.

"Koordinatori i zbulimit do të shkojë në Shtetet e Bashkuara brenda pak ditësh, për t'u siguruar se gjërat për të cilat është rënë dakord, me angazhimet e marra, janë kontrolluar, respektohen dhe zbatohen. Kjo është vija e sjelljes që ne do të ndjekim jo pa kujtuar se, në mes të vendeve aleate, kjo është e papranueshme. "

Sipas dokumenteve të botuara, përgjimet përfshijnë përmbledhje të bisedave mes zyrtarëve të qeverisë franceze mbi krizën globale, të ardhmen e Bashkimit Evropian, marrëdhëniet mes administratës së zotit Hollande dhe kancelares Merkel, përpjekjeve të Francës për të përcaktuar përbërjen e stafit ekzekutiv të OKB-së dhe një mosmarrëveshje mes qeverisë amerikane dhe franceze mbi spiunazhin amerikan në Francë.

Shtëpia e Bardhë nuk ka folur nëse Shtetet e Bashkuara kanë monitoruar presidentin Hollande apo paraardhësit e tij në të kaluarën, por ka nënvizuar se ajo nuk ka vënë në shënjestër komunikimet e presidentit Hollande dhe as nuk do ta bëjë këtë.

Në rrugët e Parisit, banorët thanë se fakti që Franca po përgjohej nga një aleat historik është një çështje serioze.

“Mendoj se nuk është normale mes dy vendeve mike, nuk është aspak normale. Ai që qesh tani është Putini. Ai po qesh me të madhe tani me idealet e miqësisë, kur në fakt, në politikë nuk ka miqësi. Për mua është pak e neveritshme”, thotë Omar Abdel.

Një parizien tjetër tha se tani për tani akuzat për spiunazh nuk janë çështja shqetësuese për popullin francez që përballet me papunësinë.

“Kjo është politikë. Mendoj se të gjitha vendet spiunojnë njëra-tjetrën këto kohë, por kjo nuk është çështja më e rëndësishme për francezët sot”, tha Agim Suljovic.

Në vitin 2013, WikiLeaks raportoi se Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka përgjuar telefonatat private të kancelares gjermane Angela Merkel. Raporti nxiti një skandal politik në Gjermani dhe një kërkesë zyrtare për hetime.

Shtetet e Bashkuara u përgjigjën për këtë çështje në shtator të vitit 2013 dhe ajo ishte një përgjigje e ngjashme me atë që ju dha Francës të martën: se Shtetet e Bashkuara nuk i kishin përgjuar bisedat e zonjës Merkel në atë kohë dhe nuk do ta bënin këtë as në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG