Lidhje

Misionet franceze ndryshojnë rendin strategjik në Evropë


Ndërsa trupat franceze dislokohen së bashku me homologët e tyre afrikanë në përpjekje për të shtypur dhunën fetare në Republikën e Afrikës Qendrore, analistët ushtarakë thonë se në Evropë po shfaqet një rend i ri strategjik. Franca po merr rol qendror në ndërhyrjen në konflikte të huaja, veçanërisht në Afrikë, ndërsa krerët ushtarakë britanikë po shprehin shqetësimin se Britania mund të ketë humbur guximin për misione të tilla.

Franca ka dërguar 1 mijë e 600 trupa në Republikën e Afrikës Qendrore për të vënë nën kontroll dhunën fetare mes myslimanëve dhe të krishterëve.
Dislokimi vjen 10 muaj pasi Parisi dërgoi 4 mijë trupa në Mali, pasi forcat islamike morën nën kontroll pjesën më të madhe të veriut të vendit.
Ndërhyrjet e Francës në konfliktet afrikane janë në interesin e saj, thotë David Cadier i Institutit IDEAS për politika në Universitetin Ekonomik të Londrës.

“Ne nuk duam të kemi një Afganistan në Afrikë. Nëse nuk ka qeveri, nuk ka garanci sigurie se nuk do të lejohen grupe terroriste të ngrenë baza, kampe trainimi në Afrikë, në Afrikën Qendrore dhe atë Veriore, ç’ka do të thotë në portat e Evropës dhe Francës në veçanti”.

Roli gjithnjë në rritje i Francës në sigurinë globale është në kontrast me atë të fqinjit dhe aleatit të saj, Britanisë.

Në gusht të vitit të kaluar, Britania i befasoi aleatët kur parlamenti votoi kundër pjesëmarrjes në goditjet ushtarake ndaj Sirisë, pas akuzave se Presidenti Bashar al-Assad kishte përdorur armë kimike.

Në një fjalim muajin e kaluar, gjenerali Sir Nicholas Houghton, kreu i forcave të armatosura britanike tha se vendi i tij ishte bërë mosbesues lidhur me demonstrimin e forcës në botë.

“Së fundmi kam ndjekur me një ndjenjë admirimi, aftësinë relative të forcave franceze për të funksionuar me një mendësi të menaxhimit agresiv të rrezikut. Ne duhet të jemi të kujdesshëm si shoqëri dhe si ushtri profesionale që të mos ta humbim instinktin kurajoz, meqë është një nga tiparet që na dallon”.

Britania ishte aleatja kryesore e Shteteve të Bashkuara në ndërhyrjen e vitit 2003 në Irak, një luftë jopopullore brenda vendit.

Në fund të këtij viti, trupat britanike do të përfundojnë tërheqjen nga Afganistani pas 13 vjet luftimesh dhe afro 450 viktimash. Anketat tregojnë se publiku vazhdon të jetë skeptik për atë që është arritur, dhe komandantët britanikë paralajmërojnë se Talabanët kanë shumë gjasa të të rifitojnë terren, pasi të largohen trupat e NATO-s.
Këto konflikte, së bashku me shkurtimet në shpenzimet ushtarake, e kanë bërë Britaninë të jetë e lodhur nga ndërhyrjet e huaja, thotë David Cadier.

“Ajo që po ndodh është një hezitim në rritje për të pranuar rrezik dhe viktima. Dhe Franca është e zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes strategjike nga ana e vendeve të tjera evropiane”.

Në një fjalim në shtator, ministri i jashtëm francez Laurent Fabius tha se Franca do të përshtatej me ndryshimet e sfidave strategjike.

“Franca do të mbetet një aktor global në botë. Nëse e rifitojmë pozitën tonë konkurruese, ne do të mbetemi një fuqi me ndikim”.

Por një muaj pas dislokimit të Francës në Republikën e Afrikës Qendrore, anketat tregojnë se mbështetja e publikut francez po bie me shpejtësi, nga 51 për qind në dhjetor në 41 për qind këtë javë.
XS
SM
MD
LG