Lidhje

Francë, protesta kundër dëbimit të 15-vjeçares


Nxënësit francezë bllokuan sot disa shkolla të mesme, në ditën e dytë të protestës kundër dëbimit të një vajze 15 –vjeçare, e cila u nxorr nga një autobus shkolle dhe u deportua në Kosovë. Kjo çështje është bërë qendër e një debati rreth imigracionit, që ka përfshirë Francën dhe e ka vënë Ministrin e Brendshëm Manuel Valls në shënjestrën e deputetëve socialistë, parti së cilës ai i përket.

Dhjetra nxënës u mblodhën jashtë shkollës së mesme Charlemagne të Parisit, duke kërkuar kthimin e Leonarda Dibranit, familja e së cilës kishte hyrë ilegalisht në Francë në vitin 2009 dhe kishte bërë të gjitha përpjekjet ligjore për të shmangur dëbimin.

"Ne nuk e kuptojmë: edhe themi se vendi ynë është vend i të drejtave të njeriut, që mirëpret njerëz, edhe deportojmë një vajzë 15 -vjeçare dhe një djalë 19 – vjeçar. Sidomos për Leonardën, e cila shkon një një vend që nuk e njeh dhe ku nuk ka të ardhme," thotë David, nxënës i shkollës së mesme.

Disa deputetë socialistë akuzojnë ministrin e brendshëm Manuel Valls, më popullori në qeverinë e Presidentit François Hollande, se ka tradhtuar vlerat e së majtës me politikat e ashpra të imigracionit, që çuan në arrestimin e Leonardës gjatë një ekskursioni që po bënte klasa e saj.

Zoti Valls ka shtuar retorikën kundër imigrantëve romë që jetojnë në kampet e paligjshme të qyteteve franceze, ndërkohë që në anketat e opinionit është rritur mbështetja për partinë e ekstremit të djathtë, Fronti Kombëtar, e cila është kundër imigracionit. Polemikat vijnë në prag të zgjedhjeve komunale dhe evropiane vitin e ardhshëm.

Ministri i Arsimit Vincent Peillon tha se shkolla duhet të jetë një strehë e sigurt për nxënësit dhe se policia nuk duhet të ndërhyjë kur ata janë në mjediset shkollore.

"Kur një nxënës është në një ekskursion me klasën, si në rastin e tanishëm, kjo është pjesë e jetës shkollore dhe në këto raste nuk mund të ndërhysh, sepse shkolla është si një vend i shenjtë," tha zoti Peillon për radion Evropa 1.

Dje, demonstratat në kryeqytetin francez u shndërruan në dhunë, ndërkohë që qindra nxënës u derdhën nëpër rrugë për të protestuar kundër dëbimit të Leonarda Dibranit dhe të një nxënësi tjetër me prejardhje armene.
XS
SM
MD
LG