Lidhje

Franca akuzon tregtarë nga vende të tjera


Tesco horse meat burgers
Tesco horse meat burgers
Franca thotë se tregtarë rumunë, holandezë dhe qipriotë të mishit janë të përfshirë në një zinxhir shitjesh, në të cilin mishi i kalit paraqitej si mish viçi, duke u përdorur më pas nga kompani prodhuese të ushqimeve të ngrira.

Bashkëpunimi kompleks mes tregtarëve të mallrave me shumicë e ka bërë gjithnjë e më të vështirë për të gjetur origjinën apo destinacionin e ushqimeve, si në rastin e mishit të kalit të shitur si mish viçi brenda ushqimeve të ngrira që lëvizin midis kufijve të hapur të Evropës. Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë i Francës, Stephane le Foll, i cili tha se tani i takon autoriteteve rregullatore të zbulojnë se kush janë përgjegjësit.

“Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga mjegulla. Dhe ne kemi mundësi të kërkojmë dokumente mbi zhvendosjen e produkteve gjatë tregtimit të tyre, duke vendosur rregulla që duhen zbatuar nga të gjithë, sepse vetë përgjegjësia përballë rregullave është në rrezik.”

Franca thotë se kasapë rumunë dhe tregtarë holandezë dhe qipriotë ishin pjesë e zinxhirit të furnizimit që ofronte mish kali duke e paraqitur si mish viçi i cili më pas përdorej për ushqime të ngrira si lasagna, moussaka dhe produkte të tjera.

Ministri i Bujqësisë i Rumanisë, Daniel Konstantin, u takua sot në Bukuresht me Komisionerin e BE-së për Bujqësinë Dacian Ciolos për të diskutuar rolin e Rumanisë në këtë krizë. Dje, Presidenti i Rumanisë tha se ishte i shpetësuar se vendi i tij mund të përballej me kufizime të eksporteve dhe të humbiste besueshmëri, nëse rezultonte që tregtarët e mishit në vend të ishin shkaku i këtij problemi.

Nuk ka njoftime për rreziqe shëndetësore nga ky skandal ushqimor. Michel Barnier, ish-ministër i Bujqësisë i Francës, tani anëtar i Komisionit të Bashkimit Evropian, tha se kjo nuk ishte çështje e sigurisë së ushqimit, por çështje drejtësie.

"Në këtë mashtrim, bëhet fjalë për përfitime në para. Disa njerëz duan të shesin mishin e kalit, që kushton 30 për qind më pak, duke thënë se është mish viçi. Pra bëhet fjalë për fitime të padrejta ndaj konsumatorëve. Kjo është arsyeja që ky është një skandal."

Zyrtarë të lartë qeveritarë dhe prodhues të produkteve mishit në Francë u takuan sot për të diskutuar mbi krizën, ndërsa ministri Le Foll tha se rezultatet e hetimit francez do të publikohen të mërkurën.


XS
SM
MD
LG