Lidhje

Francë: Një i arrestuar në lidhje me sulmin terrorist


Presidenti francez François Hollande tha se një sulm që ndodhi sot në mëngjes në juglindje të Francës ishte i "një natyre terroriste" dhe se një person i dyshuar është arrestuar. Ai tha se një forcë e konsiderueshme policore ishte dislokuar në atë zonë dhe në objekte të tjera industriale të mbrojtura, për të shmangur incidente të ngjashme.

Sulmi ndodhi sot rreth orës 10 të mëngjesit në qytetin Saint-Quentin-Fallavier, rreth 30 km në juglindje të Lyonit dhe hollësitë janë ende të paqarta. Dy persona përplasën një makinë në një kompani amerikane në juglindje të Francës, duke shkaktuar shpërthimin e kontejnerëve të gazit. Në vendin e ngjarjes u gjet një kokë e prerë e shoqëruar me mbishkrime në arabisht.

Presidenti francez François Hollande tha sot në Bruksel se sulmi në juglindje të Francës kishte "natyrë terroriste" dhe se një person i dyshuar ishte arrestuar dhe identifikuar.

"Sulmi ishte i një natyre terroriste, sepse aty u zbulua një kokë e prerë me mbishkrime sipër. Tani që po flas bëhet fjalë për një të vdekur dhe dy të plagosur," tha zoti Hollande në një konferencë shtypi në Bruksel, ku ndodhej për takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

Ai shtoi se një forcë e konsiderueshme policore ishte dërguar në rajon dhe në objekte të tjera industriale të mbrojtura për të shmangur ndonjë incident tjetër. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve shkoi në qytetin Saint-Quentin-Fallavier, ku ndodhi ngjarja.

"Do të dëshiroja të thosha gjithashtu se në të gjithë territorin e vendit, nën përgjegjësinë time dhe të zyrtarëve lokalë, është aktivizuar një dislokim i fuqishëm për të mbrojtur objektet fetare dhe ato sensitive, për të garantuar mbrojtjen e francezëve që janë prekur në mënyrë të veçantë nga aktet terroriste,” tha ministri Caseneuve.

Nga ana e tij, Presidenti Hollande u bëri thirrje francezëve që të mos i lëshojnë rrugë frikës apo racizmit.

"Emocionet nuk mund të jenë përgjigja e vetme, ne kemi nevojë për veprim, parandalim, për të bindur njerëzit dhe për të mbrojtur vlerat. Kurrë nuk duhet t’i hapim rrugën frikës, por të ngrihemi mbi çdo rrethanë, të mos krijojmë ndarje të padobishme, ose dyshime të patolerueshme. Ne duhet të bëjmë detyrën që populli francez na ka besuar: t’i mbrojmë ata, të mbrojmë të vërtetëm dhe të çrrënjosim grupet apo individët që janë prapa akteve të tilla,” tha zoti Hollande.

Zoti Hollande u largua nga takimi i nivelit të lartë menjëherë pas këtyre komenteve.

Objekti ku ndodhi ngjarja i përkiste firmës Air Products, një kompani amerikani e gazit dhe e produkteve kimike.

Presidenti amerikan Barak Obama u informua për sulmin në kompaninë amerikane të gazit, tha sot një zyrtar i lartë i administratës pa dhënë hollësi të mëtejshme.

XS
SM
MD
LG