Lidhje

Francë: Fillon në fushatë, pas fitores brenda partisë


François Fillon është zyrtarisht kandidati për president i Partisë Republikane franceze, një parti e qendrës së djathtë. Ish kryeministri francez filloi sot fushatën, pas fitores së thellë në zgjedhjet brenda partisë, ndaj rivalit të tij të vjetër Alain Juppe. Fitorja në zgjedhjet paraprake e çon Fillon-in në një betejë elektorale me udhëheqësen e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, prillin e ardhshëm, kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

Në zgjedhjet e para paraprake të stilit amerikan, për Partinë e djathtë “Les Republicains” 62 vjeçari Fillon, fitoi 68 për qind të votave ndaj rivalit të tij më të moderuar, 71-vjeçarit Alain Juppe. Ky i fundit, i cili gjithashtu ka qenë kryeministër, mori vetëm 32 për qind të votave.

Juppe e pranoi humbjen, duke e uruar Fillon-in për fitoren “gjithëpërfshirëse”. Ai bëri thirrje për unitet dhe qetësi, pas një fushate të ashpër, të pazakontë, gjatë së cilës ai e akuzoi Fillon-in për mbështetjen e politikave anti-imigracionit dhe anti-islamike të së djathës ekstreme.

Në rrugët e Parisit, parizianët kishin mendime të ndryshme për fitoren e Francoi Fillonit. Përfaqësuesi i partisë së qendrës së djathtë ka thënë do të ngrejë moshën e pensionit, do ta pakësojë fondin e sigurimeve shoqërore dhe do ta prishë traditën e deritanishme për francezët: 35 orë punë në javë.

Ai shihet si fituesi i mundshëm i zgjedhjeve presidenciale pas 5 muajsh në garën me partinë e ekstremit të djathtë që nuk gëzon popullaritet dhe asaj të majtë, që është e përçarë. Një anketë e shpejtë menjëherë pas fitores së Fillonit, tregon se ai mund ta fitojë lehtësisht garën me udhëheqësen e Partisë Fronti Kombëtar, Marine Le Pen, e cila pritet se do të kualifikohet për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vendit.

Por që të mund të arrijë këtë, Fillon, një admirues i ish kryeministres britanike Margaret Thatcher përballet me sfidën për të siguruar mbështetjen e votuesve për programin e tij, që premton ndryshime radikale.

“Fillon përfaqëson të djathtën tradicionale, një përfaqësues modern i së djathsë,, që e kemi parë edhe në raste tët jera në Europë, me ish kryeminsitrin britanik David Cameron. Unë mendoj se është interesant,”- thotë ky banor i Parisit.

Edhe Thomas ndjehet i lumtur për fitoren.

Por Helena, që është nëpunëse në shtet, thotë se fitorja e Fillonit e shqetëson, se rrezikon të humbë vendin e punës. Ai ka thënë se do të shlurtojë 500 mijë vende pune në zyrat qeveritare.

Francois Fillon ka në plan t’i shkurtojë shpenzimet publike me 100 miliardë euro në 5 vitet e ardhshme, ta eleminojë një taksë ndaj të pasurve dhe ta rrisë moshën e pensionit, në 65 vjeç.

Zëdhënësja e qeverisë, Stephanie Le Foil thotë se propozimet e Fillonit janë “brutale” për vendin.

“Plani i tij është brutal për Francën dhe për francezët, ata nuk e meritojnë këtë”- tha zëdhënësja.

Presidenti aktual, socialisti Francois Hollande, pritet të shpallë javën e ardhshme vendimin e tij në se do të rikandidojë. Pakënaqësitë e mëdha ndaj tij, e kanë dobësuar pozicionin e së majtës franceze.

Zgjedhjet presidenciale të Francës po shihen si provë e rëndësishme për partitë politike të vendit, pas suksesit të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara dhe daljes së Britanisç nga BE-ja, ku në të dyja rastet fituan kandidatët që përfaqësonin politikat jo-elitare dhe votuesit shprehën zemërimin ndaj insititucioneve ekzistuese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG