Lidhje

Francë, protesta kundër ndërhyrjes izralite në Gazë


Ndërsa Izraeli vazhon ofensivën tokësore në Gazë, mijëra protestues pro-palestinezë marshuan kundër dhunës nëpër qytetet e Francës, pa e përfillur ndalimin e demonstratave nga qeveria. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Paris, Lisa Bryant njofton se mitingjet në Francë pasojnë protesta të ngjashme në mbarë Europën kundër dhunës në Gazë.

Mitingu i së shtunës në Paris u bë i dhunshëm, ndërsa policia u përlesh me demonstruesit dhe përdori gazin lotsjellës. Autoritetet i kishin ndaluar protestat në shumë qytete franceze, për shkak të dhunës javën e kaluar në një protestë të ngjashme në Paris, gjatë të cilës pati edhe sulme ndaj dy sinagogave. Franca është vendi evropian me popullsinë më të madhe hebraike dhe palestineze, dhe ka patur vazhdimisht shqetësime se dhuna në Lindjen e Mesme mund të ndodhë edhe nëpër rrugët e Francës.

Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius po zhvillon bisedime në rajon, në përpjekje për t'i dhënë fund luftimeve.

Mijëra vetë nuk e përfillën vendimin e qeverisë për ndalimin e protestave, ashtu sikurse edhe kërcënimet dhe gjobat dhe madje edhe dënimet me burg, duke u mbledhur në kryeqytetin francez dhe në qytete të tjera në mbarë vendin, në emër të palestinezëve në Gazë.

In lagjen Barbes të Parisit verior, turmat e emocionuara valëvisnin flamuj palestinezë dhe mbanin në duar parrulla, me thirrjet për t'i dhënë fund dhunës që ka vrarë qindra civilë, ndërsa trupat policore ishin grumbulluar ndodhej vetëm disa qindra metra larg. Disa nga demonstruesit mbanin në duar flamuj dhe parrulla në mbështetje të çështjeve radikale islamike.

Ata thërrisnin "Izraeli është vrasës" dhe "ne jemi të gjithë palestinezë". Shumë prej tyre brohorisnin, ndërsa disa burra mbi çati digjnin flamuj izraelitë.

Protestuesit ishin nga vende dhe të feve të ndryshme. Mes tyre ishte edhe Zeina, e konvertuar në fenë myslimane, e cila denoncoi sulmet ajrore izraelite dhe ofensivën tokësore në Gazë.

Zeina thotë se të gjithë myslimanët janë të bashkuar kundër përpjekjes së Izraelit për të grabitur territore palestineze dhe që fajësojnë të tjerët.

Një tjetër demonstrues, i cili tha se e quanin Max, kritikoi qeverinë socialiste të Francës:

"Duam të protestojmë, sepse qeveria franceze duket se po merr pjesë në këtë konflikt dhe është e qartë, se mban anën e Iaraelit, pa marrë parasysh mendimin e popullit të vet."

Në miting morën pjesë edhe një grup i vogël i Unionit për Paqen të hebrejve francezë. Ja si u shpreh presidenti i grupit Richard Wagman:

"E marr me mend se në këtë demonstratë janë të gjitha llojet e elementeve. Ne psh, jemi një organizatë hebraike për paqen dhe që mbështet një zgjidhje politike të konfliktit në Lindjen e Mesme, një zgjidhje të drejtë."

Ofensiva e Izraelit në Gazë filloi si përgjigje ndaj sulmeve me raketë të grupit militant palestinez Hamas. Por viktimat mes civilëve i kanë tmerruar shumë Europianë. Ditët e fundit janë zhvilluar një numër i madh protestash në qytete të tjera në mbarë Europën, si në Britani, Greqi, Belgjikë dhe Gjermani.

XS
SM
MD
LG