Lidhje

Hollande mbron strategjinë e tij në Afrikë

  • Lisa Bryant

Presidenti francez, Francois Hollande thotë se vendet evropiane mund t’i ofrojnë mbështetje ushtarake operacionit të Francës në Republikën e Afrikës Qendror të përfshirë nga konflikti, dhe ai mohoi se vendi i tij do të veprojë i vetëm në zgjidhjen e krizave jashtë vendit. Presidenti Hollande i bëri këto komente dje në Paris në një konferencë për shtyp në të cilën dominuan pyetjet mbi raportet e disa revistave franceze mbi jetën e tij personale.

Presidenti Hollande nuk ofroi asnjë afat për përfundimin e operacionit të Francës në Republikën e Afrikës Qendrore. Por ai tha se Parisi nuk do të përzihet në politikën e brendshme të vendit afrikan ndërkohë që ky vend po përpiqet të formojë një qeveri kalimtare.

Zoti Hollande tha se Franca është duke punuar me vendet afrikane në rajon për t’u siguruar që Republika e Afrikës Qendrore në fund të jetë në gjendje të ketë të njëjtin lloj të tranzicionit politik - duke përfshirë edhe zgjedhjet demokratike - si në Mali. Ai parashikoi se vendet e tjera të Bashkimit Evropian do të bien dakord për dërgimin e ndihmave humanitare dhe ushtarake, në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së javën e ardhshme.

Politika e Francës në Afrikë së bashku me çështjet e brendshme si ekonomia, arsimi dhe emigracioni dominuan konferencën e parë të vitit me gazetarë të zotit Hollande. Sondazhet tregojnë se ai është presidenti më jopopullor i Francës në historinë e kohëve të fundit. Shumë francezë mendojnë se qeveria e tij nuk ka bërë sa duhet për të luftuar papunësinë e lartë dhe problemet ekonomike.

Presidenti gjithashtu është goditur nga raportet rreth dyshimeve se ai ka patur një aferë me aktoren franceze Julie Gayet. Partnerja e zotit Hollande, Valerie Trierweiler, u shtrua në spital të premten pasi një revistë botoi një artikull me këto akuza.

Presidenti Hollande tha se ai është duke kaluar kohë të dhimbshme në jetën e tij personale, por ai mbrojti të drejtën e tij për privatësi. Ai nuk u përgjigj në mënyrë specifike për akuzat apo nëse ai do të ndërmarrë veprime ligjore kundër revistës që i ka raportuar ato.

Presidenti Hollande paraqiti një të ardhme më të fuqishme për Francën, jo vetëm në aspektin ndërkombëtarë, por edhe në atë ekonomik. Ai diskutoi një politikë ekonomike pro - biznesit që ka për qëllim nxitjen e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, dhe ai diskutoi udhëtimin e tij të ardhshëm në Vatikan ku do të takohet me Papa Françeskun.

Presidenti Hollande tha se autoriteti moral i papës mund të jetë i dobishëm në gjetjen e një zgjidhje politike për krizën siriane. Ai gjithashtu tha se njohuritë e papës mund të jenë të dobishme edhe për çështje të tjera si bisedimet palestinezo – izraelite të paqes dhe takimin mbi ndryshimet klimatike që do të zhvillohet në Francë në vitin 2015.
XS
SM
MD
LG