Lidhje

Shtyhet për 6 prill vendimi për Haradinajn


Gjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore, vendosi të shtyjë për datën 6 prill vendimin lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që, siç thuhet, nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm, në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012 në një rigjykim të pjesshëm që ishte rasti i vetëm në historinë e Gjykatës për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë.

Pas paraqitjes së sotme në gjykatë, zoti Haradinaj tha se gjykata ka këkruar më informacine shtesë nga Serbia. Ai tha se e konsideron veten "peng politik" dhe procesi është një "abuzim me ligjin dhe drejtësinë".

Avokatët thonë që nëse gjykata hedh poshtë kërkesën serbe, zoti Haradinaj do të jetë i lirë dhe Serbia nuk ka mundësi apelimi, ndërsa në një rast të kundërt, vendimin përfundimtar për ekstradim apo jo do ta merrte qeveria franceze, përkatësisht ministri francez i drejtësisë.

Vendimi i sotëm i gjykatës nxiti reagime në Kosovë. Qeveria e Kosovës konsideron se shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, "është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës. Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtoj po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish–kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë", thuhet në një reagim të qeverisë në të cilin i bëhet thirrje bashkësisë ndërkombëtare "që t’u jap fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërkaq, kërkon nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e zotit Haradinaj në Republikën e Kosovës".

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se shtyrja "është abuzim me drejtësinë. Vendimi është i palogjikshëm, dhe krejtësisht i pakuptueshëm. Është e habitshme se si autoritetet gjyqësore të Francës, janë vënë në shërbim të ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, të cilët përmes Haradinajt po e provokojnë rëndë stabilitetin dhe paqen në Kosovë. AAK, dyshon se shtyrja e vendimit për lirimin e Haradinajt, është përpjekje e drejtpërdrejtë për mënjanimin politik të tij", thuhet në reagimin e kësaj partie.

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë.

Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Ndalimi i zotit Haradinaj nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të të Beogradit.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG