Lidhje

Pas sulmeve terroriste francezët i druhen reagimeve të ashpra


Debati që ka shkaktuar Burkini, kostumi i banjës për disa femra myslimane, që mbulon të gjithë trupin, ka ekspozuar betejën e heshtur që ekziston në Francë mes shoqërisë laike dhe pakicës së saj myslimane, e cila bazuar në numrin e popullsisë, është më e madhja në Evropën Perëndimore. Këto tensione janë shtuar pas sulmeve terroriste në vendin që dikur mburrej se i mirëpriste imigrantët. Larg plazheve të rivierës franceze, mes banorëve në një komunitet të Francës veriore, ku në korrik u vra nga xhihadistët një prift katolik, ekziston frika se rritja e shpejtë e popullsisë myslimane do të sjellë një reagim të ashpër nga ata të së djathtës, por që mbështetet në heshtje nga laikët e krahut të majtë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Luis Ramirez, ishte në provincën e Normandisë dhe përgatiti kronikën në vazhdim:

Në katedralen e lashtë të Ruenit bien kambanat, por këtu vijnë më shumë turistë se sa besimtarë. Kjo është Franca moderne, laike, ku ndikimi i Kishës Katolike po zbehet.

Kjo është edhe arsyeja që vrasja në muajin korrik e priftit të moshuar Jacques Hamel nga dy xhihadistë, është thuajse e pakuptueshme.

Një pikturë e priftit Hamel në katedrale, vepër e një artisti mysliman, simbolizon vullnetin për bashkëjetesë mes myslimanëve dhe të krishterëve.

Jo larg prej këtej, në kishën Shën Etienne-du-Rouvray, ku vranë atin Hamel, po mbahet mesha e së dielës. Është një kongregacion që ka ardhur duke u pakësuar, në një kishë të vjetër që ka nevojë për riparime.

Vite më parë, në shenjë vullneti të mirë, kisha i dhuroi nga toka e vet komunitetit për të ndërtuar një xhami ngjitur me të.

“Disave në atë kohë ju duk e çuditshme, sepse toka u dha me një çmim simbolik. Ata thjesht e dhuruan tokën. Disa banorë thanë: "Tani që po ndërtohet xhamia do të na vijnë këtu shumë arabë", - thotë kjo banore.

Xhamia lulëzon. Në lutjet e së premtes ajo mbushet plot, madje disave u duhet të ulen jashtë.

Udhëheqësit e të dyja komuniteteve janë krenarë për këtë portë që lidh kishën dhe xhaminë. Ajo është një derë e hapur mirëkuptimi për shqetësimet që lindin. Pas vrasjes së At Hamelit, katolikët i ftuan myslimanët të merrnin pjesë në meshë dhe myslimanët i ftuan katolikët në lutjet e së premtes.

Por vitet e fundit, lidhja e përbashkët e fesë për trajtimin e problemeve është shndërruar nganjëherë në të çarë.

“Më parë, në komunitet nuk prekeshin çështjet fetare. Përkundrazi, flitej për vëllazërimin. Në vitet 1980 ne flisnim për racizmin, për çështjet ekonomike, e tema të tjera. Çështjet fetare filluan të bëhen pjesë e bisedave tona në kohën e Luftës së Gjirit Persik. Në atë kohë duket se njerëzit filluan të shfaqin më shumë interes tek feja," - thotë imami.

Ka shqetësime se mos diferencat fetare mund të prishin vullnetin e mirë, duke nxitur ndjenjat kundër imigrantëve, nga ata të së djathtës.

“Ankthi i paevitueshëm me të cilin jetojmë çdo ditë është se po afrohen zgjedhjet presidenciale. Debatet nuk janë gjithmonë paqësore. Temat për të cilat flitet shpesh shoqërohen me sharje të ashpra dhe kjo mund të dëmtojë komunitetet," - thotë prifti katolik.

Në Ruen, tensionet mbahen nën kontroll. Zyrtarët lokalë të partisë së djathtë "Fronti Kombëtar" nuk pranuan të komentonin për Zërin e Amerikës. Por që nga sulmet, anketat tregojnë se mbështetja e njerëzve për këtë parti është rritur.

Në kishën ku u vra At Hamel, disa i shqetëson qetësia e tanishme.

“Nuk dallon zemërim në mesin e popullsisë. Nuk ka lëvizje, apo kryengritje. Por me siguri, që njerëzit kanë për ta thënë fjalën e tyre tek kutia e votimit."

Sot Francën e mban të bashkuar si shtet përkushtimi ndaj laicizmit, më tepër se sa katolicizmi. Një shfaqje dritash me ngjyra tek kadedralja e Ruenit ka tërhequr banorët e qytetit. Sfidë për ta mbetet si t'i sheshojnë diferencat në kushtet kur ka një pakicë në rritje myslimane dhe për të mbajtur gjallë vullnetin e mirë dhe laicizmin.

XS
SM
MD
LG