Lidhje

Francë, një minutë heshtje në nderim të viktimave


Franca hyri në ditën e tretë dhet të fundit të zisë kombëtare sot me një moment heshtje në mesditë në shenjë respekti për viktimat e sulmeve të Parisit. Ndërkohë, avionët luftarakë francezë ndërmorën sulme masive të djelën në mbrëmje kundër Shtetit Islamik në Raqqa.

Presidenti francez Francois Hollande mbajti një minutë heshtje sot në Sorbonne për viktimat e sulmi terrorist në Paris.

I gjithë Parisi ndali për të kujtuar viktimat e sulmeve të së premtes, ndërsa njerëzit u bashkuan për një minutë heshtjeje në stacionet e metrove, kullën Eiffel dhe në sheshet pranë vendeve të incidenteve.

Udhëheqësit botërorë, të mbledhur në takimin e G-20 në Turqi mbajtën gjithashtu një minutë heshtje për viktimat e sulmit të Parisit.

Bashkimi Evropian u kërkoi të gjitha vendeve anëtare të merrnin pjesë në ceremonitë e heshtjeve. Duke folur në Bruksel sot, shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini bëri thirrje për një përgjigje të bashkuar ndaj ekstremistëve që kryen sulmet.

"Shteti Islamik është një kërcënim për të gjithë ne. Në duhet të jemi të bashkuar, pasi ky nuk është sulm ndaj një vendi të vetëm, por ndaj gjithë Evropës, është një sulm ndaj civilizimit. Kjo kërkon të bashkojmë forcat, të ndajmë informacionet, dhe të bashkërendojmë përpjekjet tona diplomatike, ekonomike dhe ndonjëherë ushtarake për të përballur këtë kërcënim".

Avionët luftarakë francez ndërmorën sulme masive të djelën në mbrëmje kundër Shtetit Islamik në Raqqa, duke shkatërruar një qendër komande dhe një kamp stërvitor.

Avionët u nisën nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara dhe operacionet u kryen në bashkëpunim me forcat amerikane.

Në Francë, duke folur për një program në radio, kryeministri Manuel Valls tha se megjithë përpjekjet për parandalimin e sulmeve, ka të ngjarë të ketë sulme të tjera terroriste:

"Po Franca u sulmua pasi njerëzit e saj janë krenarë, të lirë dhe ndajnë të njëjtat vlera universale me botën. Por e vërteta është dhe e kam thënë këtë për disa muaj tani, se jemi në luftë kundër terrorizmit dhe terrorizmi mund të godasë dhe e ka bërë këtë edhe në se mund të sprapsim disa sulme terroriste, por ata mund dhe do të na sulmojnë përsëri. Në ditët në vazhdim, në javët në vazhdim. Nuk e them këtë për të trembur njerëzit, por për t’i ndërgjegjësuar ata".

Ky mesazh solli pak ngushëllim për banorët e Parisit që po përpiqen t’i kthehen jetës normale:

"Kam ndjesinë se të gjithë shtiremi. E kalova gjithë ditën jashtë dje, duke takuar miq. Të gjithë shtiremi dhe të gjithë jemi vërtetë të frikësuar. Jemi të frikësuar por e dimë se duhet të luftojmë dhe e vetmja mënyrë është të vazhdojmë të jetojmë jetën tonë," thotë një banor i Parisit.

Grupi ekstremist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për serinë e sulmeve në Paris që vranë më shumë se 130 vetë të premten në mbrëmje. Presidenti francez i cilësoi sulmet e së premtes si “një akt lufte”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG