Lidhje

Një parti myslimane në Francë


Rreth një muaj pas sulmeve terroriste në Paris, francezët nesër do të marrin pjesë në votime. Ekspertët parashikojnë se partia e djathtë Fronti Kombëtar do të marrë rezultate të forta në zgjedhjet lokale, duke theksuar frikën ndaj terrorizmit dhe emigracionit. Por, një parti e re, Bashkimi i Myslimanëve Demokratë Francezë, është duke bërë fushatë për një përfaqësim më të mirë të myslimanëve në politikën franceze, si dhe për të treguar se Islami dhe laicizmi francez mundet të bashkëjetojnë.

Khalid Majid nuk ka dalë në pazar për rroba. Ai kërkon vota.

Partia e tij, Bashkimi i Demokratëve Myslimanë (UDMF), po merr pjesë për herë të parë në zgjedhje. Shumë njerëz kënaqen që shohin një fytyrë të re dhe dëgjojnë një mesazh të ri.

Partia UDMF nuk pret të fitojë shumë vota. Thjesht përfshirja e më shumë myslimanëve në politikë është një hap përpara:

“Duhet të bëhen faktor. Nëse nuk luajnë rol sot, atëherë të tjerët do të krijojnë legjislacion kundër tyre. E kemi parë këtë gjatë viteve të fundit.”

Ferroudja Ghersbousbele nuk beson se partitë e mëdha franceze reflektojnë shqetësimet e myslimanëve të zakonshëm, të cilët janë të shqetësuar nga kundërreagimi pas sulmeve terroriste:

“Pas atyre që ndodhën, nuk mendoj se na përfaqësojnë. Duan më shumë ta ulin fenë myslimane se sa ta mbështesin.”

Partia UDMF po bën fushatë rreth temave si mjedisi dhe vendet e punës. Gjysma e kandidatëve të saj janë gra, dhe shumë prej tyre nuk mbajnë ferexhe. Por, platforma e saj trajton shumë nga shqetësimet e myslimanëve, si ndalimi i ferexhesë në shkolla. Anëtarët e kësaj partie thonë si identiteti i saj mysliman nuk ka përplasje me laicizmin francez.

Partia kundër emigrantëve, Fronti Kombëtar, gjendet në kahun tjetër të spektrit politik. Sidomos pas sulmeve terroriste në Paris, pikëpamjet e saj për shtetin ligjor po zënë vend edhe tek disa myslimanë.

Në qytete shumë-etnike, si Montreuil, Fronti Kombëtar u bën thirrje votuesve të zgjedhin vendin e tyre, dhe se UDMF-ja nuk ka vend në politikën franceze:

“Të marrësh pjesë në zgjedhje me këtë lloj tematike fetare myslimane është e papranueshme.”

Ekspertët nuk bien dakort për efektet që do të ketë Partia Myslimane. A do të ndihmojë ajo për bashkimin e francezëve, apo do t’i përçajë më tej? Apo thjesht do të zvenitet gradualisht? Ky debat do të vazhdojë përtej zgjedhjeve të së dielës.

XS
SM
MD
LG