Lidhje

Rrënjët dhe shkaqet e sulmeve në Francë

  • Arash Arabasadi

Pjesa më e madhe e myslimanëve në Francë u distancuan menjëherë nga sulmet e javës së kaluar ndaj gazetës satirike dhe dyqanit të ushqimeve. Por ata kanë kritika ndaj qeverisë franceze, të cilën e fajësojnë se nuk ka bërë sa duhet për të integruar rininë e disa grupeve pakicë.

Në xhaminë e Madhe të Parisit, lutjet e mesditës sollën të hënën një numër të vogël besimtarësh. Ata e kanë të qartë se vëmendja publike është përqëndruar në komunitetin mysliman të Francës dhe se situata është e tensionuar.

“Është situatë disi e vështirë pasi ndjejmë solidaritet me francezët dhe të gjitha komunitetet, që jetojnë në Francë. Këtu ka shumë myslimanë. Feja islame është e dyta për nga numri i besimtarëve në Francë. Ne jetojmë në paqe, kur krejt papritur ndodhën sulmet. Myslimanët ndjehen disi të trembur”, thotë Mohamed Cashier, besimtar mysliman.

Franca ka shumicë katolike. Katedralja Notre Dame ka përpara një statujë të Karlit të Madh, perandorit të shekullit të nëntë që e detyroi popullatën të konvertohet në katolicizëm. Por Revolucioni Francez që u zhvillua afro 1000 vjet më pas solli një sistem të ri vlerash.

Liria, Barazia dhe Vllazëria janë motoja e Francës dhe u shpalosën edhe në marshimin e së dielës.

Komuniteti mysliman i Francës është bërë një ndër sfidat më të mëdha ndaj këtij koncepti dhe qeveria ka punë të madhe për të trajtuar problemet e të rinjve të varfër dhe të margjinalizuar, si në rastin e dy vëllezërve që kryen sulmin e fundit.

“Ata kanë jetuar në hije në këtë shoqëri dhe nuk ekzistojnë shumë mekanizma për t’i integruar para se të jetë tepër vonë. Ky është problem i qeverisë, por edhe i komunitetit lokal”, thotë Susan Perry, pedagoge në Universitetin Amerikan në Paris.

Edhe vetë parizienët mendojnë se qeveria dhe komuniteti mysliman duhet ta trajtojnë problemin e ekstremizmit islamik, veçanërisht në zonat me shumicë myslimane.

“Problemi në Francë qëndron tek periferitë, që janë bërë si fuçi baruti. Duhet ta zgjidhim këtë problem”, thotë një grua që quhet Betty.

“Komuniteti mysliman ka shumë punë për të bërë në mënyrë që të përmirësojë imazhin në Francë dhe në botë. Nuk mund të vazhdojnë kështu. Duhet t’i ndreqin këto probleme”, thotë Armando.

Por në xhami njerëzit e shohin problemin më së shumti si përgjegjësi e qeverisë:

“Nuk mendoj se është vetëm problem i fesë islame. Mendoj se është një çështje më e thellë dhe ndoshta është problem social”, thotë Saqina.

“Nuk e shoh vetëm si problem të myslimanëve, por të të gjithëve. Problemi qëndron tek politika, ekonomia, politika globale”, thotë Osman, një informaticien.

Osmani ishte i vetmi që tha se edhe myslimanët francezë duhet të bëjnë më shumë:

“Mendoj se mund të punojmë më shumë për t’u informuar më mirë mbi mësimet bazë të fesë islame. Islami na mëson tolerancën mbi gjithçka”.

Sulmet e bëjnë të vështirë përcjelljen e këtij mesazhi. Por incidentet e javës së kaluar krijuan edhe një solidaritet mes komunitetesh që shumë francezë shpresojnë se do të jetë më i fortë se frika dhe skepticizmi.

XS
SM
MD
LG