Lidhje

Francë: Kamioni godet turmën, dhjetëra viktima


Në Nisë të Francës, një person me kamion la të vrarë të paktën 84 vetë dhe plagosi shumë të tjerë, në grumbujt e njerëzve që ishin duke parë fishekzjarret. Ngjarja ndodhi të enjten vonë në qytetin e Rivierës Franceze ndërsa njerëzit kremtonin Ditën e Bastijës, festën kombëtare të Francës.

Policia e vrau shoferin, i cili e ngau kamionin në bulevardin e njohur të bregdetit, Promenade des Anglais, para se ta fuste atë mes turmës së njerëzve, duke i goditur ata.

Në një fjalim në televizion drejtuar vendit, Presidenti Francois Hollandë tha se horrori përsëri goditi Francën. "Është e qartë se ne duhet të bëjmë çdo gjë për të luftuar murtajën e terrorizmit," tha presidenti francez, i cili njoftoi zgjatjen me tre muaj të gjendjes së jashtëzakonshme si dhe forcimin e masave të sigurisë në kufi.

Sipas njoftimeve të medias, në kamion u gjetën armë dhe lëndë shpërthyese. Media lokale në Nisë njofton gjithashtu se shoferi ishte një 31-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, franceze dhe tuniziane. Një burim i policisë franceze thotë se brenda kamionit ishte gjetur një kartë identiteti dhe se personi ishte banor i Nisës.

Disa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se kishin dëgjuar të shtëna, ndërsa kamioni i bardhë hynte mes turmës së njerëzve, duke devijuar majtas e djathtas për t'i goditur ata.

Presidenti Barack Obama publikoi një deklaratë me shkrim të enjten mbrëma, në të cilën dënonte "atë që me sa duket është një sulm i neveritshëm terrorist," siç shprehej ai. "Në këtë Ditë të Bastijës, - shkruante Presidenti Obama, - ne kujtojmë forcën e jashtëzakonshme dhe vlerat demokratike që e kanë bërë Francën një frymëzim për të gjithë botën." Presidenti tha se kishte udhëzuar zyrtarët amerikanë për t'u ofruar autoriteteve franceze të gjithë ndihmën e mundshme.

Edhe dy kandidatët e pritshëm presidencialë, Hillary Clinton dhe Donald Trump e dënuan sulmin në komentet që bënë me telefon për rrjetet amerikane të lajmeve. Zoti Trump e shtyu shpalljen e kandidatit për nënpresident që kishte planifikuar për të premten.

Pothuajse tetë muaj më parë, më 13 nëntor, militantët e Shtetit Islamik vranë 130 njerëz në Paris, më i përgjakshmi mes një numri sulmesh në Francë dhe Belgjikë në dy vitet e fundit.

Të dielën, Franca mori frymë e lehtësuar pasi turneu i futbollit Euro 2016 përfundoi pa ndonjë incident, të cilit zyrtarët i trembeshin.

XS
SM
MD
LG