Lidhje

Intensifikohen kërkimet për të dyshuarit mbi sulmet në Paris


Pas konfirmimit të vrasjes së organizatorit të sulmeve në Paris, Abdelhamid Abaaoud, janë zgjeruar hetimet për të dyshuarit e tjerë

Ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë së Bashkimit Evropian, po diskutojnë të premten në Bruksel, rrugët e bashkërendimit dhe shtrëngimit të masave të sigurisë në kufijt e jashtëm të vendeve anëtare, si një masë emergjente pas sulmeve në Paris.

Ministri i brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, tha se Franca nuk ishte njoftuar nga asnjë prej vendeve të BE-së se organziatori tashmë i vrarë i sulmeve, Abdelhamid Abaaoud, kishte hyrë në bllok. Cazeneuve tha se “është urgjente që Evropa të zgjohet, të organizohet dhe të mbrojë veten nga kërcënimet terroriste”.

Ndërkohë, kërkimet po vazhdojnë për të paktën një terrorist të dyshuar, që ndodhet në arrati që nga sulmet vdekjeprurëse të javës së kaluar në Paris.

Zyrtarët francez thanë se nuk e dinë ku ndodhet Salah Abdelslam, por kërkimet për të janë intensifikuar në Francë e Belgjikë dhe tashmë, sipas njoftimeve, janë zgjeruar edhe në Holandë.

Abdelslam, i cili besohet se ka ndihmuar kryerjen e sulmeve në Paris, u shndërrua në të arratisurin më të kërkuar në Evropë, pasi që ndaj tij u lëshua një urdhërarresti.

Autoritetet belge kryen nëntë bastisje të enjten në disa pjesë të Brukselit dhe arrestuan nëntë persona. Disa nga shtëpitë e bastisura janë në Molenbeck, një lagje ku kishte jetuar Abdelslam si dhe vëllai i tij Ibrahimi, i cili hodhi veten në erë para njërës prej kafeneve ku ishte kryer një nga sulmet e së premtes.

Disa nga bastisjet janë kryer në lidhje me Bilal Hadfi, i cili hodhi veten në erë afër stadiumit francez. Zyrtarët thanë se operacioni ishte përqendruar tek familja e Hadfit, miqtë dhe personat e tjerë të të lidhur me të.

Policia franceze tha se 600 shtëpi janë bastisur që nga sulmet e së premtes së kaluar që lanë pas vetes 129 të vrarë.

Prokurorët francezë konfirmuan se organizatori i dyshuar i sulmeve të javës së kaluar në Paris ishte mes të vrarëve në operacionin e policisë të mërkurën.

Zyra e prokurorit të Parisit tha se trupi i Abdelhamid Abaaoud - shtetas belg me origjinë marokene - u gjet brenda apartamentit të sulmuar në përleshjet shtatë orëshe të policisë në Saint-Denis, në periferi të Parisit. Abaaoud, u identifikua nga shenjat e gishtrinjëve.

Të paktën tetë vetë u arrestuan gjatë sulmit. Një grua që u identifikua si kushërirë e Abaaudit, hodhi veten në erë. Tre policë u plagosën dhe u vra një qen i policisë.

Ndërkohë, ligjvënësit francezë votuan të enjten për të zgjatur gjendjen e emergjencës për tre muaj në përgjigje të sulmeve të së premtes.

Ndërkohë, autoritetet italiane janë në kërkim të pesë të dyshuarve, pasi që morën një paralajmërim nga FBI se mund të ketë sulme në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe në Milano, përfshirë edhe Shtëpinë e Operas, La Scala.

Departamenti amerikan i shtetit lëshoi një paralajmërim për udhëtimet në Itali, duke theksuar se këto zona janë shënjestra të mundshme, sikurse edhe “kishat, sinagogat, restorantet, teatrot dhe hotelet” në Romë dhe në Milano.

Qytetet amerikane të Nju Jorkut dhe Uashingtonit janë përmendur në një video si shënjestra të mundshme të Shtetit Islamik.

Drejtori i FBI-së, James Comey, tha të enjten se agjencia e heitmeve nuk ka parë kërcënime “të besueshme” për sulme të llojit si ato në Paris, në Shtetet e Bashkuara.

Prokurori i përgjithshëm, Loretta Lynch, e cila foli me gazetarët së bashku me zotin Comey në Uashington, tha se që nga viti 2013, më shumë se 70 veta janë akuzuar për veprime që lidhen me “luftëtarët e huaj dhe ekstremizmin e dhunshëm”. Ajo tha se departamenti i drejtësisë po vazhdon me “veprime të vendosura”.

Të enjten mbrëma, sulme të reja ajrore janë kryer në qiellin e Sirisë.

Sumet franceze shkatërruan të paktën 35 shënjestra të Shtetit Islamik në Siri, tha zëdhënësi ushtarak francez, koloneli Gilles Jaron. Sipas tij, avionët francez lëshuan mbi 60 bomba në gjashtë qytete dhe të gjitha kishin në shënjestër qendrat komanduese dhe të ato të trajnimit të Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG