Lidhje

Francë: Policia arreston 19 të dyshuar si ekstremistë


Presidenti francez Nikolas Sarkozi njoftoi se policia ka arrestuar 19 persona gjatë një operacioni kundër ekstremistëve të dyshuar islamikë në të gjithë vendin. Zoti Sarkozi tha se gjatë bastisjeve të sotme në Tuluzë dhe qytete të tjera ishin kapur edhe armë.

Policia ka arrestuar 19 veta në një operacion kundër personave të dyshuar si ekstremistë islamikë në disa qytete të Francës dhe janë planifikuar bastisje të tjera të ngjashme, tha presidenti francez.

Presidenti Sarkozi nuk dha hollësi në lidhje me arsyen e arrestimeve ose përse konkretisht dyshohen të arrestuarit, por tha se gjatë operacionit ishin konfiskuar disa armë, përfshirë kallashnikovë.

Presidenti Sarkozy tha se nuk e dinte nëse 19 të arrestuarit ishin pjesë e ndonjë rrjeti, por tha se do të ketë bastisje të tjera.

"Do të ketë edhe operacione të tjera që do të vazhdojnë dhe që do të na lejojnë të dëbojmë nga territori ynë një numër të caktuar njerëzish që nuk kanë arsye për të qenë këtu," tha zoti Sarkozi.

Presidenti francez, i cili është në një betejë të ashpër për rizgjedhje, tha se ishte detyra e tij "për të garantuar sigurinë e popullit francez".

Një hetues i policisë tha se operacioni, i kryer nga agjencia kryesore e zbulimit francez, nuk lidhet me vrasjet e kohëve të fundit në jug të Francës.

23-vjeçari francez Mohamed Merah, mori përgjegjësinë për vrasjet që lanë shtatë të vdekur. Merah, i cili deklaroi se kishte lidhje me al-Kaidën, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë javën e kaluar dhe u varros dje pranë Tuluzës.

Myslimanët në Francë kanë shprehur shqetësime për reagime të mundshme kundër tyre pas vrasjeve. Ndërkohë, udhëheqësit francezë i kanë bërë thirrje publikut të mos vërë shenjën e barazimit mes fesë Islame dhe "terrorizmit".

XS
SM
MD
LG