Lidhje

Francë: Socialisti Hollande kryeson pas raundit të parë


Socialisti François Hollande (Fransua Oland) kryeson garën pas raundit të parë në zgjedhjet presidenciale të Francës duke lënë pas presidentin e tanishëm Nikolas Sarkozi.

Pas numërimit gati të plotë të rezultatit, zoti Hollande kishte më shumë se 28 për qind të votave ndërsa konservatori Sarkozi 27 për qind.

Z. Hollande tha se rezultatet e së dielës e bëjnë atë kandidatin më të fortë, por paralajmëroi mbështetësit se mund të presin një breshëri sulmesh të ashpra nga presidenti Sarkozy para votimit të 6 majit.

"Falë jush, ndryshimi po vjen dhe asgjë nuk do ta ndalë atë."

Z. Sarkozy thotë se është optimist për raundin e dytë pavarësisht se është i pari president në detyrë që humbet raundin e parë në historinë moderne franceze. Ai ia atribuoi rezultatin ankthit të njerëzve për sigurinë e vendeve të punës dhe integritetin e kufijve.

"Unë e njoh dhe e kuptoj këtë lloj frike, këtë lloj shqetësimi. Ato kanë të bëjnë me respektin për kufijtë tanë, me betejën e vendosur kundër transferimit të vendeve të punës jashtë, me kontrollin e imigracionit, me sigurinë për njerëzit dhe familjet e tyre."

Tetë kandidatët e tjerë u eliminuan. Por kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen doli e treta me më shumë se 18 për qind, rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë nga Partia Fronti Kombëtar, e themeluar nga i ati i saj, Jean-Marie Le Pen, parti që është kundër emigrantëve. Ajo thotë se do t’i këshillojë mbështetësit e saj se si të votojnë në raundin e dytë javën e ardhshme.

"Beteja e Francës sapo ka filluar. Të dashur miq, francezë, asgjë nuk do të jetë si më parë, sepse megjithë gënjeshtrat e përhapura nga koalicionet e organizuara dhe sondazhet e tyre të rreme, së bashku ne kemi thyer monopolin e dy partive të bankave dhe të botës financiare".

Z. Sarkozy i ka kërkuar zotit Hollande tre debate për çështjet sociale, ekonomike dhe ndërkombëtare para balotazhit të 6 majit. Por zoti Hollande e hodhi poshtë ofertën si një dredhi të dëshpëruar nga një kandidat i cili e di se i ka punët keq.

XS
SM
MD
LG