Lidhje

Franca reagon ndaj komenteve të Presidentit amerikan Donald Trump


Presidenti francez Francois Hollande reagoi sot ndaj disa komenteve të Presidentit amerikan Donald Trump për vendin e tij, duke i quajtur të papërshtatshme për një vend aleat. Gjatë fjalimit të tij në takimit vjetor të konservatorëve amerikanë, Presidenti Donald Trump i ftoi pjesëmarrësit t’i shikojnë vendet evropiane si shembuj negativë të efekteve të emigracionit, duke përmendur si shembull Francën.

Në fjalimin e tij, Presidenti Trump iu rikthye temës së pasigurisë së krijuar në vendet evropiane, këtë radhë duke u përqendruar tek Franca. Ai citoi një mikun e tij që mendon se “Parisi nuk është më Paris” pas sulmeve të militantëve islamistë dhe që sipas zotit Trump nuk shkon më “në qytetin e dritave”.

Ndërsa mori pjesë në çeljen e një panairi bujqësor në Paris, Presidenti francez Hollande shfrytëzoi mundësinë për të bërë thirrje për mbështetje të SHBA-së ndaj vendeve aleate.

“Nuk dua të bëj krahasime, por këtu njerëzit nuk disponojnë armë. Këtu nuk kemi njerëz me armë që qëllojnë drejt turmës vetëm për kënaqësinë e të shkaktuarit të dramës dhe tragjedisë. Mjerisht, kemi terrorizëm dhe duhet ta luftojmë së bashku. Nuk mendoj se është mirë të provokohet sadopak një vend aleat. Unë nuk do ta bëja këtë gjë me SHBA-në dhe i kërkoj Presidentit amerikan mos ta bëjë këtë gjë me Francën”, tha ai.

Vizitorët që ndodheshin sot në Paris gjithashtu nuk janë dakort me mendimin se kryeqyteti francez nuk është i sigurtë.

“Jo, unë mendoj se Franca është një vend i qetë. Unë punoj si guidë dhe nuk ka asnjë rrezik. Siguria franceze është super”, thotë Claudio Amin, një guidë turistike.

“Parisi vazhdon të jetë një qytet shumë paqësor. Unë vij shpesh këtu dhe na pëlqen Franca. Nuk ka ndryshuar”, thotë Manoli Diaz, një turist nga Spanja.

Madje njerëzit në Paris reagojnë edhe ndaj propozimeve për mbyllje kufijsh për emigrantët, si një masë sigurie.

“Jo, absolutisht jo. Dielli ndriçon për të gjithë. Toka është për të gjithë, jo vetëm për amerikanët apo për francezët. Jemi të gjithë njëlloj”, thotë Marie-Claire Richard që ka ardhur nga Chatearoux për të vizituar Parisin.

Nën masa të dukshme sigurie të policisë franceze, turistët vazhduan të vizitojnë sot Kullën Eifel dhe objektet e tjera në kryeqytetin francez.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG