Lidhje

Bisedë telefonike Obama-Hollande lidhur me përgjimet


Presidenti francez Francois Hollande tha se i kishte telefonuar të mërkurën Presidentit amerikan Barack Obama, për të diskutuar lidhur me akuzat për përgjimin e presidentëve francezë dhe se zoti Obama ka premtuar përsëri se taktikat e përgjimit do të ndalohen, duke i konsideruar ato si “të papranueshme mes vendeve aleate.”

Zoti Obama bëri një premtim të ngjashëm, pasi Edward Snowden zbuloi metodat e përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, NSA në vitin 2013.

Biseda telefonike me dy udhëheqsve të Shteteve të Bashkuara dhe Francës u zhvillua, pasi faqja në internet e WikiLeaks zbuloi të martën dokumente, që tregonin se NSA kishte përgjuar ish-presidentët francezë Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy, si dhe zotin Hollande nga viti 2006 deri në vitin 2012.

Zoti Obama dhe zoti Hollande thanë se “parimet duhet të udhëheqin marrëdhëniet mes aleatëve në fushën e zbulimit”, thuhej në një deklaratë të zyrës së presidentit francez”.

Më parë, të mërkurën, Ministria e Jashtme franceze thirri ambasadoren amerikane Jane Hartley për t’u takuar me ministrin e jashtëm francez

Laurent Fabius, për t’u shpjeguar lidhur me akuzat për përgjime. Ambasada amerikane nuk pranoi të komentojë lidhur me këtë çështje.

Presidenti François Hollande thirri një takim urgjent të Këshillit të Mbrojtjes të mërkurën në mëngjes për të diskutuar mbi njoftimet e publikuara në faqen elektronike franceze Mediapart dhe në gazetën majtiste “Libération”. Zëdhënësi i qeverisë Stephane Le Foll tha se një zyrtar i lartë i zbulimit francez do të dërgohet në Shtetet e Bashkuara për të konfirmuar se këto praktika kanë marrë fund.

Sipas dokumenteve të botuara, përgjimet përfshijnë përmbledhje të bisedave mes zyrtarëve të qeverisë franceze mbi krizën globale, të ardhmen e Bashkimit Evropian, marrëdhëniet mes administratës së zotit Hollande dhe kancelares Merkel, përpjekjeve të Francës për të përcaktuar përbërjen e stafit ekzekutiv të OKB-së dhe një mosmarrëveshje mes qeverisë amerikane dhe asaj franceze mbi spiunazhin amerikan në Francë.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar nëse Shtetet e Bashkuara kanë monitoruar presidentin Hollande apo paraardhësit e tij në të kaluarën, por ka nënvizuar se ajo nuk ka vënë në shënjestër komunikimet e presidentit Hollande dhe as nuk do ta bëjë këtë.

Kryeministri francez Manuel Valls i tha ligjvënësve se dokumentet e WikiLeaks që përshkruajnë interceptimet e NSA-së, janë “një shkelje serioze e shpirtit të besimit” mes të dy vendeve.

Zoti Valls tha se SHBA duhet të bëjnë ç’është e mundur dhe me shpejtësi, që “të riparojnë dëmin” që i është bërë marrëdhënieve amerikano-franceze pas këtyre zbulimeve.

Në vitin 2013, WikiLeaks raportoi se Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka përgjuar telefonatat private të kancelares gjermane Angela Merkel. Raporti nxiti një skandal politik në Gjermani dhe një kërkesë zyrtare për hetime.

Shtetet e Bashkuara u përgjigjën për këtë çështje në shtator të vitit 2013 dhe ajo ishte një përgjigje e ngjashme me atë që ju dha Francës të martën: se Shtetet e Bashkuara nuk i kishin përgjuar bisedat e zonjës Merkel në atë kohë dhe nuk do ta bënin këtë as në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG