Lidhje

Francë, gara e pretendentëve konservatorë për president


Alain Juppe shpreson të futet në maj të vitit të ardhshëm në pallatin presidencial Elysee, pasi të ketë fituar zgjedhjet presidenciale në Francë, me kusht që gjithçka të shkojë sipas parashikimeve. Zoti Juppe, ish-kryeministër i Francës dhe aktualisht kryetar bashkie i Bordosë, kryeson prej muajsh në anketa dhe pëlqehet gjerësisht nga francezët për humorin e hollë dhe qëndrimin e moderuar ndaj çështjeve të nxehta për elektoratin si komuniteti mysliman dhe imigracioni.

Por epërsia e tij është zvogëluar ditët e fundit. Ndërkohë që francezët përgatiten për raundin e parë të votimeve paraprake në radhët e kandidatëve konservatorë, disa po pyesin veten si do të ndikojë fitorja e Donald Trumpit në zhvillimet politike në vendin e tyre.

Ashtu si kudo në botë, fitorja në zgjedhjet amerikane e miliarderit republikan, me një retorikë shpesh polemizuese, ka ngjallur shpresat e elementëve të ekstremit të djathtë si Marine Le-Penn, e cila inauguroi rishtazi selinë e fushatës së saj në Paris, jo larg pallatit presidencial.

Shumë nga temat që u dëgjuan në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara gjejnë jehonë edhe në Francë. Votuesit shprehin zhgënjim me statu konë, shqetësim për vendet e punës, ndikimin e globalizimit dhe përhapjen e ekstremizmit islamik. Ndjehet dukshëm dëshira për politika dhe figura të reja në udhëheqje. Një frymë e tillë, thonë analistët, mund t’u japë mbështetje politikanëve që kanë qenë jashtë sistemit qeverisës deri tani, një ndër ta edhe zonja Le Penn.

Ndër pretendentët për të cilët votohet nesër në zgjedhjet paraprake të konservatorëve janë dy ish-kryeministra, ish-presidenti Nicolas Sarkozy dhe katër politikanë veteranë.

XS
SM
MD
LG