Lidhje

Francë, FK ii dyti në zgjedhjet lokale


Partia konservatore e Francës UMP, e drejtuar nga ish-Presidenti Nicolas Sarkozy, u rendit e para në zgjedhjet lokale të së dielës. Partia Socialiste e presidentit François Hollande nuk priste fitore, por i kishte inkurajuar qytetarët për të votuar kundër Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë të zonjës Marine Le Pen, i cili doli në vend të dytë.

Partia UMP bashkë me aleatët mori 29 përqind të votave, ndërsa Fronti Kombëtar 25 për qind. Socialistët në pushtet me aleatët morën 21,5 përqind, sipas rezultateve zyrtare të ministrisë së Brendshme.

Zonja Marine Le Pen e Frontit Kombëtar tha se roli i socialistëve po tkurret.

"Partia Socialiste pësoi një humbje historike. Partitë e ndryshme të majta shkuan nga 50 përqind në 2011 në 36 përqind. Brenda grupit, roli i Partisë Socialiste po zvogëlohet," tha zonja Marine Le Pen.

Rezultat tregojnë se raundi i dytë të dielën e ardhshme do të jetë kryesisht një garë mes partisë UMP dhe Fontit Kombëtar.

UMP dhe socialistët pritet t'u bëjnë thirrje aleatëve që të mos votojnë për Frontin Kombëtar në raundin e dytë. Analistët thonë se votuesit e këtyre dy partive ka të ngjarë të mbështesin partitë e tjera, mjafton që Fronti Kombëtar të mos fitojë.

Votuesit e lidhën humbjen e socialistëve me zhgënjimin ndaj politikave të tyre.

"U premtua shumë, por premtimet nuk u mbajtën. Ata që paguajnë më shumë janë më të varfërit dhe zakonisht është kjo pjesë e popullatës që voton për të majtën," thotë Bernard Schweitzer, banor i Parisit.

Vëzhguesit politikë thonë se Fronti Kombëtar, me politikat e tij kundër imigracionit, kundër fesë islame dhe me platformat anti-europeiste do ta ketë të vështirë të gjejë aleatë.

Si socialistët ashtu edhe partia UMP, që janë zakonisht rivalë, kanë bërë paralajmërime për të ardhmen e Francës nëse Fronti Kombëtar vjen në pushtet.

XS
SM
MD
LG