Lidhje

“Freedom House”: Shqipëria, dobësi në disa institucione bazë


Një raport i ri i organizatës “Freedom House” e radhit Shqipërinë dhe Kosovën në kategorinë e vendeve me liri të pjesshme, pra me kufizime në respektimin e lirive politike dhe atyre civile. Një përfaqësuese e organizatës i tha Zërit të Amerikës se Shqipëria dhe Kosova përballen me probleme të ngjashme, sidomos me mungesën e aftësisë për të luftuar krimin e organizuar dhe për të ndjekur penalisht korrupsionin politik në nivele të larta. Kolegu ynë Ilir Ikonomi përgatiti këtë material.

Në raportin e këtij viti të organizatës “Freedom House”, Shqipëria dhe Kosova radhiten mes 58 vendeve të botës me liri të pjesshme.



Shtetet e tilla vuajnë shpesh nga një mjedis i korruptuar, sundimi i dobët i ligjit, grindjet fetare e etnike dhe nga dominimi i skenës politike nga një parti e caktuar.

Në një intervistë nga Nju Jorku, Sylvana Kolezckowa, e organizatës Freedom House, i përshkruan kështu vendet e kësaj kategorie:

Vende me liri të pjesshme janë vendet ku ekzistojnë intitucione demokratike, por ato funksionojnë me të meta të mëdha”.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Megjithatë, edhe në klasifikimin e këtij viti ajo vazhdon të renditet si vend pjesërisht i lirë. Zonja Kolezckowa jep këtë shpjegim:

“Fakti që Shqipëria vazhdon të ndeshet me një mur pengesash dhe refuzimesh lidhur me anëtarësimin, nuk është dhe aq për t’u habitur po të shikosh dobësitë në disa prej institucionet bazë të vendit, që Bashkimi Evropian i merr shumë seriozisht, sidomos në gjyqësor, në sundimin e ligjit dhe në zbatimin e ligjit antikorrupsion.”

Freedom House thotë se në krahasim me vendet e tjera në rajon Shqipëria qëndron diku në mes.

“Vitet e fundit kemi parë një konsolidim të vazhdueshëm të autoritetit nën administratën Berisha. Mendoj se nëse kjo prirje vazhdon dhe nëse shikojmë zëvendësimin e njerëzve dhe institucioneve që duhet të shërbejnë si kontroll mbi ekzekutivin, atëherë mund të bëhemi dëshmitarë të një keqësimi më të shpejtë të gjendjes në Shqipëri krahasuar me fqinjët. Këtu e kam fjalën sidomos për zyrën e prokurorit të përgjithshëm por edhe për disa të tjerë.”

Shqipëria krahasuar me një vit më parë, ndodhet pothuajse në shkallën e njëjtë të vlerësimit. Sivjet ajo ka marrë notën 3 për dallim nga një vit më parë kur ishte vlerësuar me 3.5.

Kosova ndërkaq ka vlerësime të njëjta në dy shtyllat kryesore që, sipas Freedom House, përcaktojnë lirinë e një vendi. Ajo edhe sivjet ka marrë notën 5 për të drejtat politike dhe 4 për liritë civile. Megjithatë, dy vendet përballen me probleme të ngjashme:

“Këto janë sidomos mungesa e aftësisë për të luftuar krimin e organizuar dhe për të ndjekur penalisht korrupsionin politik në nivele të larta.”

Nga vendet e rajonit, bashkë me Shqipërinë dhe Kosovën, në radhën e vendeve me liri të pjesshme janë edhe Bosnja dhe Maqedonia.

Ndërsa, Serbia, Kroacia e Mali i Zi, radhiten në mesin e vendeve të lira.
XS
SM
MD
LG