Lidhje

Freedom House për gjendjen e demokracisë në Kosovë


Organizata nxorri raportin e përvitshëm për Vendet në Tranzicion

Rezultati për vlerësimin e demokracisë për Kosovën është keqësuar lehtë duke shkuar nga 5.18 në 5.25 me rënie në kategoritë e shoqërisë civile dhe korrupsionit.
Në raportin për Kosovën përmenden arritje si përfundimi i “pavarësisë së mbikqyrur” dhe dialogu me Serbinë të drejtuar nga Catherine Ashton. Në raport përmenden edhe hapat drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në kategorinë e qeverisjes qendrore, klasifikimi i Kosovës ka mbetur i pandryshuar në nivelin 5.75.

Freedom House thotë se megjithëse ka arsye për optimizëm të matur, institucionet në Kosovë mbeten të dobëta dhe u mungon përgjegjshmëria demokratike.

Edhe klasifikimi për procesin zgjedhor ka mbetur i pandryshuar në nivelin 5.00. Në raport thuhet se reformat zgjedhore të filluara pas zgjedhjeve problematike vitit 2010, kanë ngecur kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Bllokimi sipas organizatës, u keqësua nga mosmarrëveshja për mandatin e Presidentes Atifete Jahjaga.

Rezultati për shoqërinë civile pësoi keqësim nga 3.75 në 4.00, për shkak të problemeve me një ligj për mikrofinancë që në vend të mbështeste organizatat joqeveritare, i jepte mbështetje disa individëve, poltizimit të Universitetit të Prishtinës me emërimin e zëvendës Presidentit të Aleancës Kosova e Re si rektor. Po ashtu universitetet private u përballën me diskriminim në procesin e akreditimit, pasi kishin anëtarë të personelit që kundërshtonin politikat e qeverisë.

Lidhur me gjendjen e lirisë së medias, Freedom House përmend kundërshtimin ndaj neneve të debatueshme në Kodin e Ri Penal. Presioni i medias dhe shoqërisë civile, dhe dorëheqja e Ministrit të Drejtësisë, çoi në amendamente që i hiqnin nenet problematike. Në raport përmendet ligji për buxhetin e RTK-së që siguron 0.7 për qind të buxhetit të shtetit për transmetuesin publik, por që sipas organizatës nuk siguron funksionalitet afat gjatë. Qeveria vazhdoi vonimin e emërimeve për Komisionin për Pavarësinë e Medias dhe dhuna kundër gazetarëve vazhdoi, shpesh pa ndëshkim. Rezultati për median mbeti në nivelin 5.75.

Problemet me qeverisjen lokale vazhdojnë dhe faza finale e decentralizimit nuk u realizua në zonat me shumicë serbe për shkak të komplikimeve politike. Rezultati në këtë kategori mbeti në 4.75.

Pavarësisht nga reformat legjislative dhe rezultateve të qendrueshme të Gjykatës Kushtetuese, gjyqësori i Kosovës mbetet vetëm në letër i pavarur nga ekzekutivi. Rezultati për këtë kategori ka mbetur 5.50.

Akuzat për korrupsion, veçanërisht në procesin e privatizimit janë në rritje dhe autoritetet vazhdimisht kanë dështuar në vënien para përgjegjësisë për hapat e gabuar të polikës. Në raport përmendet vdekja e kreut të agjencisë së privatizimit, gjë që u cilësua vetëvrasje. Shteti ligjor dhe veçanërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten ndër sfidat më madhore të Kosovës. BE-ja ka kritikuar zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit. Rritja e korrupsionit, nuk ka sjellë si rezultat përpjekje më energjike në luftën kundër tij, prandaj vlerësimi për këtë dukuri ka rënë nga 5:75 në 6.00.

Sfidat që parashikon Freedom House për këtë vit për Kosovën është zbatimi i marrëveshjes me Serbinë, reforma zgjedhore para votimeve lokale në vjeshtë dhe debate për Privatizimin e PTK-së.


Vlerësimet e Freedom House për vitin 2012 dhe 2013:

Procesi elektoral 5.00 të dy vitet
Shoqëria Civile bie nga 3.75 në 2012 në 4.00 në 2013
Shtypi i Pavarur 5.75 të dy vitet
Qeverisja Qendrore 5.75 të dy vitet
Qeverisja Lokale 4.75 të dy vitet
Sistemi Gjyqësor dhe pavarësia e tij mbeten 5.50
Korrupsioni shënon rënie nga 5.75 në 2012 në 6.00 në 2013
Demokracia bie nga 5.18 në 2012 në 5.25 në 2013

Trego komentet

XS
SM
MD
LG