Lidhje

Raport i Freedom House për Shqipërinë

  • Keida Kostreci

Vlerësimi i përgjithshëm shënon rënie në krahasim me vitin e kaluar për shkak të korrupsionit, sistemit të drejtësisë, qeverisjes qendrore dhe asaj lokale

Organizata Freedom House nxorri sot raportin e përvitshëm për vendet në tranzit, ku vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënon rënie në krahasim me vitin e kaluar, për shkak të korrupsionit, sistemit të drejtësisë, qeverisjes qendrore dhe asaj lokale. Sipas vlerësimit të organizatës, rezultati i përgjithshëm i Shqipërisë ka rënë, duke shkuar nga 4.14 në 4.25. Ky klasifikim bëhet me një shkallë nga 1 deri në 7, ku vlerësimi 1 është më i larti dhe shtatë më i ulëti.

Sipas organizatës Freedom House, ndonëse Komisioni Evropian rekomandoi në vjeshtën e vitit 2012, që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, pasi dy partitë kryesore bashkëpunuan për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme, siç ishin ato për kodin civil dhe penal, për kodin elektoral dhe ligjin për imunitetin e gjyqtarëve dhe deputetëve, Bashkimi Evropian vendosi përfundimisht që të mos ia japë Shqipërisë statusin e kandidatit, për shkak të bllokimit politik të vazhdueshëm për tre ligjet e tjera të reformave dhe mungesës së rezultateve lidhur me zbatimin e reformave të mëparshme.

Raporti thotë se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë një provë thelbësore për demokracinë dhe institucionet shqiptare. Në raport thuhet se viti 2012 shënoi një konsolidim të pushtetit nga kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike, që sipas Freedom House, mënjanoi nga poste të rëndësishme persona që mendohej të ishin kundërshtarë, duke i zëvendësuar me të emëruarit e vet.

Treguesit ekonomikë u keqësuan për shkak të problemeve për privatizimin e kompanive kyçe dhe investimeve të pakta të huaja. Raporti vlerëson konsensusin e arritur për reformën zgjedhore, megjithëse thekson se partitë e vogla nuk ishin të përfshira në negociata. Po ashtu aty theksohet se KQZ-ja e re u krijua me propozimet e PS-së dhe PD-së, megjithëse disa afate ligjore u shkelën deri në fund të vitit. Vlerësimi në kategorinë e procesit elektoral mbeti i pandryshuar per vitin 2012.

Sipas Freedom House sektori i shoqërisë civile në Shqipëri mbetet i dobët dhe pa shumë ndikim në hartimin e politikave, gjë që ndërlikohet edhe nga një rregullat e paqarta financiare dhe të taksave. Megjithatë Freedom House thotë se në vitin 2012 pati shenja të rritjes së aktivizmit veçanërisht lidhur me të drejtat e ish-të burgosurve politikë, përmirësimin e kushteve të punës së minatorëve, politikat për mbetjet dhe të drejtat e homoseksualëve. Rezultati për këtë kategori mbeti i pandryshyar, në numrin 3.

Përsa i takon medias, raporti thotë se liria e shprehjes është e garantuar ligjërisht dhe ushtrohet lirisht në vend, megjithëse në vend mungon kuadri ligjor dhe mekanizmat vetërregulluese. Për vitin 2012 nuk pati përplasje madhore mes autoriteteve dhe gazetarëve, falë mjedisit më të qëndrueshëm politik. Për median vlerësimi i organizatës është 4.

Sipas raportit Qeverisja lokale është e dobët, e fragmentizuar dhe subjekt i manipulimit politik nga qeverisja qendrore, duke komprometuar kështu aftësinë për të funskionuar dhe për të siguruar shërbime bazë. Në vitin 2012, transferimi i fondeve tek qeverisja lokale nga buxheti qendror vazhdoi të binte dhe qeveria sipas raportit bëri ndryshime në ligjin për buxhetin që lejon Ministrinë e Financave të bllokojë transferimet financiare tek organet lokale. Sipas Freedom House, organet e drejtuara nga opozita vuajtën më shumë pasoja nga humbja e fondeve. Klasifikimi i Shqipërisë në këtë kategori u keqësua nga 3.25 në 3.50.

Raporti thotë se institucionet gjyqësore vazhdojnë të vuajnë nga trysnia dhe ndërhyrja politike si dhe nga moszbatimi i vendimit të gjykatave, sidomos nga institucionet shtetërore. Gjatë vitit 2012 nuk u shënua përparim në rishikimin e reformave thelbësore në drejtësi. Në raport përmenden ngjarjet e vitit 2011 dhe thuhet se kryeministri Berisha sfidoi të drejtat e prokurorisë së përgjithshme për ndalimin e anëtarëve të gardës të akuzuar për rolin në ngjarjet e janarit 2011. Po ashtu përmendet vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe nevoja për mbrojtjen e gjykatësve nga kërcënimet. Vlerësimi mbetet i njetë si vitin e kaluar, me 4.75 pikë.

Korrupsioni ka pasur keqësim nga 5 pikë vitin e kaluar, në 5.25. Megjithëse përpjekjet kundër korrupsionit janë një prej elementëve kryesor për integrimin në BE, sipas Freedom House, rezultatet në luftën kundër tij janë të dobëta dhe po shtohen të dhënat për mosndëshkueshmëri në nivele të larta. Si shembuj në raport përmenden rastet e ish-zv kryeministrit Ilir Meta dhe skandali me falsifikimin e diplomës së të birit të një politikani italian.

Sipas organizatës Freedom House, zgjedhjet e zhvilluara në të kaluarën, kanë ushtruar ndikim të madh në zhvillimet politike dhe institucionale. Klima ekzistuese politike, që Freedom House, e cilëson si armiqësore, dhe dështimi për të shënuar përparim në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, është një pasojë e lidhur drejtpërdrejt me zgjedhjet e vitit 2009. Prandaj, thekson, Freedom House, zgjedhjet e 23 qershorit janë provë jetike për demokracinë në Shqipëri dhe funksionimin e institucioneve bazë.
Raporti i Freedom House përfshin 29 vende të Evropës Qendrore dhe Euroazisë. Një nga prirjet që u vunë re këtë vit ishte thellimi i korrupsionit në vendet e Ballkanit, pavarësisht nga presioni i Bashkimit Evropian dhe institucionet financiare për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit.


Vlerësimet e Freedom House për vitin 2012 dhe 2013:

Procesi elektoral 4.25 të dy vitet
Shoqëria Civile 3.00 të dy vitet
Shtypi i Pavarur 4.00 të dy vitet
Qeverisja kombëtare bie nga 4.75 në 2012 në 5.00 në 2013
Qeverisja Lokale bie nga 3.25 në 2012 në 3.50 në 2013
Sistemi Gjyqësor dhe pavarësia e tij mbeten 4.75
Korrupsioni shënon rënie nga 5.00 në 2012 në 5.25 në 2013
Demokracia bie nga 4.14 në 2012 në 4.25 në 2013

Trego komentet

XS
SM
MD
LG