Lidhje

FH: Shqipëria dhe Kosova, pjesërisht të lira


Liritë demokratike kanë pësuar rënie gjatë vitit të fundit në Ballkan për shkak të keqësimeve në proceset zgjedhore dhe dobësim në sundimin e ligjit. Në këtë përfundim arrin organizata Freedom House, e cila sapo ka nxjerrë raportin e fundit mbi gjendjen e lirisë në botë. Freedom House fajëson dobësimin e rolit të Bashkimit Evropian si promotor i ndryshimeve demokratike ndër vendet ballkanike që aspirojnë për antarësim në organizatë.

Në bazë të shifrave të organizatës, vendet ballkanike klasifikohen si pjesërisht të lira. Kosova renditet më dobët në rajon, me vetëm 52 pikë nga 100 të mundshme në analizën e lirive, megjithëse nuk ka pësuar rënie krahasuar me vjet. Shqipëria ka pasur 1 pikë përmirësim, duke arritur në 68 pikë. Raporti kritikon presionin politik të autoriteteve ndaj shoqërisë civile në Bosnje, Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, Freedom House vëren se në vend të vlerave dhe standardeve demokratike, ka një prirje të rrezikshme drejt nacionalizmit, korrupsionit dhe mungesës së efiçencës në funksionimin e institucioneve.

Në prizmin e gjerë, organizata vëren se gjendja e lirisë në botë vazhdon të bjerë për të 11 vit radhazi. Ndër shkaqet kryesore Freedom House veçon forcat populiste dhe nacionaliste, kryesisht në Perëndim dhe Euroazi, si dhe kontrollin nga udhëheqës autokratë, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Forcat populiste dhe nacionaliste arritën suksese të dukshme në vende demokratike gjatë 2016, ndërsa fuqi autoritare ndërmorën akte të hapura agresioni, arrin në përfundimin raporti i Freedom House.

“Shohim udhëheqës borërorë dhe vende të caktuara që ndjekin interesat e tyre të ngushta pa kufizime domethënëse, apo pa respekt për parimet e përbashkëta për paqe dhe liri globale,” thotë Arch Puddington, një ndër autorët e raportit.

“Këto prirje po intensifikohen dhe kanë filluar të grryejnë rendin ndërkombëtar të çerek-shekullit të fundit, përfshirë respektin për normat e lirive themelore dhe të demokracisë”.

“Gjatë viteve të fundit kem vërejtur rënie të lirisë nga regjime autokrate dhe diktatoriale që domijnë në listën e vendeve që kanë pasur rënie në renditje,” tha Arch Puddington. Rënie pati edhe në vende që karakterizohen si të lira, ndër të cilat: Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Hungaria, Polonia, Serbia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Spanja, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara.

Vende të fuqishme demokratike janë përfshirë nga ankthi dhe paqartësia pas zhvillimeve si vota e britanikëve për të dalë nga Bashkimi Evropian, një numër aktesh anti-demokratike nga qeveria e re në Poloni, fitore të partive nacionaliste që trumpetojnë mesazhe ksenofobie në Evropë dhe fitorja në zgjedhje e Presidentit Donald Trump, vë në dukje raporti.

Po gjatë periudhës së analizuar në raport, Rusia vazhdoi të dëshmojë arrogancë dhe tendenca keqdashëse me ndërhyrjet e saj në proceset politike në Shtetet e Bashkuara dhe demokraci të tjera, intensifikoi mbështetjen ushtarake për regjimin diktatorial të Bashar al Assadit në Siri dhe forcoi kontrollin e saj mbi territorin e pushtuar në Ukrainë, thuhet në raportin e Freedom House.

Raporti përqëndrohet edhe tek Kina si një ndër vendet që nuk ka përfillur ligjin ndërkombëtar, si dhe udhëheqës të Sudanit të Jugut, Etiopisë, Tajlandës e Filipineve të cilët i kritikon për sjellje të pasktrupullt në dhunim të të drejtave të njeriut dhe për akte pa frikën e ndëshkimit nga ligji.

XS
SM
MD
LG