Lidhje

"Freedom Riders" konfrontojnë praktikat raciste në jug të SHBA

  • Isabela Cocoli

"Freedom Riders" konfrontojnë praktikat raciste në jug të SHBA

"Freedom Riders" konfrontojnë praktikat raciste në jug të SHBA

Para 50 vjetësh, jugu amerikan ishte një shoqëri raciste. Në vitin 1960, Gjykata e Lartë ndaloi ndarjen raciale në restorante dhe terminalet e autobuzëve që shërbenin për udhëtime mes shteteve, por afrikano-amerikët që përpiqeshin të uleshin në pjesët e caktuara vetëm për të bardhët rrezikonin të dëmtoheshin ose edhe të vdisnin në duart e huliganëve të bardhë. Në maj të vitit 1961, grupe aktivistët të të drejtave civile të bardhë dhe zezak dolën së bashku për ta ndryshuar këtë situatë dhe siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Adam Phillips ata ia arritën me sukses.

Ata e quajnë veten Freedom Riders. Një grup i integruar aktivistësh të rinj të të drejtave civile vendosën të konfrontojnë praktikat raciste në jug të vendit, duke udhëtuar së bashku me një autobus nga Uashingtoni në Nju Orlins të Luizianës. Raymond Arsenault dokumentoi udhëtimin e tyre. Ai thotë se shumë udhëheqës të vjetër të të drejtave civile denoncuan strategjinë e tyre si një provokacion të rrezikshëm që do të shënonte një sprapsje të kauzës.

"Anëtarët e Kongresit për Barazinë Raciale që dolën me këtë ide, aktivistët e rinj ishin të vendosur që do ta çonin çështjen përpara, se duhet të luftonin për lirinë tani dhe jo për lirinë më vonë, dhe se dikush duhet të fillonte luftën në gjyqe dhe në rrugë edhe nëse kjo do të thoshte vdekje për disa prej tyre. Ata ishin të gatshëm të vdisnin për këtë çështje".

Grupi u nis me autobuzin e linjës Greyhound në Uashington më 4 maj. Ata kishin në plan të ndalonin dhe organizonin njerëz të tjerë përgjatë rrugës derisa arritën destinacionin e tyre më 17 maj. Ashtu si Martin Luther Kingu i Riu dhe aktivistë të tjerë të shquar të të drejtave civile në atë kohë, Freedom Riders ishin trajnuar për teknika jo të dhunshme të veprimeve direkte të hartuara nga udhëheqësi indian Mahatma Gandhi. Arsenault thotë se për disa prej tyre, aktet jo të dhunshme ishin filozofi. Për të tjerët, ishte një taktikë për të fituar mbështetjen e publikut në luftën e tyre.

"Ata visheshin mirë, pothuajse sikur do të shkonin në kishë dhe ishin absolutisht të vendosur të mos kundërshtonin dhe të ishin të sjellshëm, dhe në kontrast me sjelljen e bandave të të bardhëve që mund t’i sulmonin dhe sigurisht që i sulmuan".

Aktivistët Freedom Riders u ngacmuan dhe u sulmuan në gjithë jugun. John Lewis, tani ligjvënës në kongres u rrah keq në Karolinën e Jugut. Probleme të mëdha i prisnin Freedom Riders në Birmingham të Alabamës ku supremacistët e bardhë i rrahën me shkopinj dhe zhinxhirë ndërsa policia i vështronte. Në Anniston të Alabamës, një grup uliganësh rrethoi autobuzin, dhe shpoi gomat duke e lënë në mes të rrugës. Në intervistat e zgjedhura nga dokumentari i ri, aktivistët rikujtojnë sesi i shpëtuan vdekjes.

"Kur dola nga autobuzi një burrë mu afrua ndërsa unë isha duke u kollitur. Më pyeti – je mirë? dhe ndërsa po i pohoja me kokë më goditi me një shkop bejsbolli".

Aktivistët, shumë prej të cilëve të lënduar, vendosën të fluturonin pjesën tjetër të rrugës deri në New Orlean. Megjithatë, aktivistët në Nashville të Tennessee, menjëherë organizuan njerëzit e tyre në Alabama dhe Mississippi. Ata mendonin se dështimi për të vazhduar përpjekjen do të ishte fitore për racistët, që kërkonin t’i frikësonin.

Administrata Kenedy ishte e shqetësuar se shtimi i dhunës do të turpëronte presidentin në një takim të nivelit të lartë po atë muaj për Luftën e Ftohtë me kryeministrin sovjetik Khrushchev. U arrit një marrëveshje me autoritetet e Mississippit. Policët do të mbronin aktivistët nga sulmet por kishin të drejtën të arrestonin ata që shkelnin ligjet. Joan Mulholland, ishte 19 vjeç në atë kohë dhe u çua në polici bashkë me aktivistë të tjerë.

"Ne u akuzuam se kishin prishur qetësinë duke i zemëruar njerëzit".

Një trajtim i till gjallëroi lëvizjen kombëtare të të drejtave civile. Gjatë pranverës dhe verës së vitit 1961, 60 aktivistë Freedom Riders u drejtuan në jug nga i gjithë vendi duke e vënë çështjen në fokus kombëtar. Lëvizja për të drejtat civile u rrit përmes protestave, nxitjes për regjistrim të votuesve, përpjekjeve ligjore dhe demonstratave. Kjo çoi në ligje më të forta kundër diskriminimit dhe zbatimit të tyre.

Ceremoni me rastin e 50 vjetorit të lëvizjes aktiviste Freedom Rides do të mbahet gjatë gjithë pranverës dhe verës, përfshi një aktivitet me të rinj studentor zezak dhe të bardhë të cilët do të nisen me autobuzë nga Washingtoni dhe do të ndjekin të njëjtën rrugë që bënë Freedom Riders duke përçuar mesazhin për të drejtat civile.

XS
SM
MD
LG