Lidhje

E ardhmja e Forcave të Sigurisë së Kosovës

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi tha të dielën se shumë shpejt do të ndryshohet ligji për Forcën e Sigurisë, nëpërmjet së cilës do t’i ndryshohet misioni dhe detyrat. Ai i bëri këto paralajmërime gjatë fillimit të manifestimeve në përkujtim të 19 vjetorit të fillimit të luftës në Kosovë, ku tha se ky ndryshim i kompetencave të Forcës së Sigurisë nuk është kundër askujt dhe nuk do të ndërhyjë në punën e forcave të KFOR-it.

​Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të dielën se shumë shpejt brenda përgjegjësive kushtetuese, do ta dërgoj në parlament ligjin e ri për transformimin e Forcës së Sigurisë. Ai i bëri këto komente gjatë një parakalimi të Forcëss ë Sigurisë në kuadër të manifestimeve treditëshe në përkujtim të 19 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt, që shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare në Kosovë.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës thanë se asnjë arritje në Kosovë nuk mund të përfytyrohet pa sakrificën e qytetarëve të saj dhe të ish Ushtrisë Çlirimtare që hapi një kapitull të ri, atë të lirisë së Kosovës.

Tre vjet më parë, qeveria e Kosovës vendosi që pasardhësja e kësaj ushtrie, Forca e Sigurisë së Kosovës, të shndërrohet në Forcat e Armatosura që do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë.

Ngritja e tyre nënkuptonte miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Veprimet e tilla kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare. Por, këto ndryshime janë pamundësuar për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre.

Pamundësia për të siguruar votën e deputetëve të pakicës serbe ka shtyrë autoritetet në Kosovë të mendojne për ndryshimin e ligjit aktual mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit do t’i shtoheshin përgjegjësitë kësaj force.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se për shkak të mos realizimit të këtij transformimi ka ardhur koha që të ndryshohet ligji për Forcat e Sigurisë dhe sipas tij për këtë gjë kushtetuta e vendit i jep përgjegjësi të mjaftueshme.

“Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajten e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global’, tha presidenti ai.

Presidenti Thaçi tha se ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë Forca e Sigurisë së Kosovës ka për qëllim ta transformojë atë në ushtri moderne, profesionale dhe me karakter mbrojtës, e cila sipas tij do të mbrojë qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë. Ai tha se ky ndryshim i kompetencave të Forcës së Sigurisë nuk është kundër askujt dhe nuk do të ndërhyjë në punën e forcave të KFOR-it.

“Ky transformim i natyrshëm, ligjor është krejtësisht kushtetues dhe i domosdoshëm në mënyrë që edhe FSK të zhvillojë edhe zyrtarisht procesin e anëtarësimit në NATO. Prandaj ftojë shtetet anëtare të NATO-s që të vazhdojnë të ndihmojnë FSK-në ashtu siç kanë bërë deri më tani. Shtetet fqinje të cilat kanë ushtri të tyre duhet ta kuptojnë këtë transformim të FSK-së në ushtri si një hap krejtësisht normal të një shteti Sovran dhe i pavarur. Misioni i NATO-s në Kosovë do të vazhdojë të funksionoj si zakonisht dhe ky transformim nuk do të ketë ndërhyrje në misionin dhe detyrat e KFOR-it në Kosovë”, tha ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG