Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Stefan Fule, tha sot gjatë një vizite në veriun e Kosovës, se nuk janë duke u zhvilluar bisedime të fshehta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ai tha se pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës mund të priten bisedime nëpërmjet të cilave do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura të cilat pengojnë qytetarët e rajonit që të gëzojnë ardhmërinë e tyre evropiane.
Zoti Fule tha se i gjithë rajoni ka ardhmëri evropiane dhe për këtë ka një pajtim të plotë të vendeve anëtaret Bashkimit Evropian.
Zoti Fule mori pjesë në përurimin e Qendrës Informative evropiane dhe vizitoi Shtëpinë e Bashkimit Evropian në veri të Mitrovicës.