Lidhje

Fule: Të vazhdojë i zbatimi i marrëveshjes Prishtinë-Beograd


Komisioneri për zgjerim i BE tha sot në Prishtinë se shpreson që deri në pranverën e vitit 2014 të mbyllen negociatat me Kosovën për MSA-në

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule tha sot në Prishtinë se shpreson që deri në pranverën e vitit 2014 të mbyllen negociatat me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Fule: Duhet të vazhdojë procesi i zbatimit të marrëveshjes Prishtinë-Beograd
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Ai i bëri këto komente pas takimit me udhëheqësit më të lartë të Kosovës, me të cilët diskutoi mbi hapat e ardhshëm që Kosova duhet t’i ndërmerr në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe për procesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Zoti Fule tha se Kosova ka bërë një hap të madh në rrugën e saj drejt integrimeve, ndërsa paralajmëroi fillimin e negocimit të marrëveshjes.

“Me këtë vendim puna jonë nuk ka përfunduar, përkundrazi sapo ka filluar. Ne duhet të nisim tani negociatat siç duhet. Ne jemi duke e përgatitur një draft – marrëveshje, që do të fillojmë të negociojmë me Kosovën pas përfundimit të verës. Do të ketë disa çështje të vështira për të diskutuar dhe gjetjen e zgjidhjeve, por unë nuk kam dyshim që së bashku me vendosmëri do ta arrijmë”, tha ai.

Zoti Fule, erdhi në Prishtinë nga Beogradi ku autoritetet e atjeshme i ka siguruar se nuk do të ketë kushte të reja në rrugëtimin e tyre evropian, por të dyja palët duhet të përqendrohen në zbatimin e asaj për të cilën janë pajtuar në marrëveshjen e 19 prillit.

Zoti Fule tha se Kosova ka bërë hapa përpara drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, zbatim ky, që sipas tij, është duke u pritur nga vendet e Bashkimit Evropian.

"Ju e dini se tash është koha për zbatimin e marrëveshjeve që është edhe brenga kryesore e vendeve të Bashkimit Evropian, dhe këtë e them në anën pozitive. Zbatimi i marrëveshjeve nga Prishtina e Beogradi duhet të vazhdojë”, tha komisioneri Fule.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u zotua për përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara për përparimin drejt strukturave evropiane.

“Ne edhe sot e shprehëm përkushtimin tonë të plotë se do të plotësojmë të gjitha kriteret dhe standardet, besojmë në një periudhë rekorde. Është jashtëzakonisht me rëndësi të potencoj se në Kosovë për dallim prej disa vendeve të rajonit, edhe pushteti edhe opozita kanë një qëndrim sa i përket të ardhmes evropiane të Kosovës, që është e ardhmja e vetme, ndërsa do të punojmë së bashku që të zbatojmë të gjitha kriteret, por ti zëmë edhe hapat me kohë në procesin e liberalizimit të vizave”, tha kryeministri Thaçi.

Në fund të muajit qershor, udhëheqësit e Bashkimit Evropian vendosën fillimin e negociatave me Kosovën për marrëveshjen e stabilizim asocimit, ndërsa Serbisë ato për anëtarësim në janar të vitit që po vjen.

Ky vendim pasoi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron një shkallë të gjerë autonomie për komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Zbatimi i marrëveshjes është kusht ndërkaq për përparimin e të dyja palëve drejt strukturave evropiane.

XS
SM
MD
LG