Lidhje

Akuza ndaj Fullanit, “Shpërdorim detyre”


Ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë, është konsideruar nga prokurorët si përgjegjës për skandalin e vjedhjes nga Thesari i Bankës i afër 7 milion dollarëve, si dhe për parregullsi në blerjen e ish Hotel Dajtit

Në Tiranë prokuroria i komunikoi sot pasdite zyrtarisht akuzën ish guvernatorit të Bankës Qëndrore Ardian Fullani. Sipas burimeve nga prokuroria, ai konsiderohet përgjegjës për “shpërdorim detyre” në rastin e skandalit të vjedhjes së afër 7 milion dollarëve nga Thesari i Bankës, e cila u zbulua korrikun e vitit të shkuar. Disa javë më pas, në muajin shtator, prokuroria e arrestoi zotin Fullani. Ish guvernatori më pas u la i lirë nga gjykatat, të cilat vendosën që ai të hetohej pa ndonjë masë të vecantë sigurie. Prokurorët e kishin motivuar vendimin e tyre me një sërë shkeljesh, që nga “mosemërimi i guvernatorit të dytë, te mosushtrimi i kompetencave për propozimin e nismave juridike dhe rregulloreve, apo dhe moszbatimi i atyre ekzistuese”. Të gjitha këto sipas prokurorëve kishin “krijuar kushtet që të cënohej siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë”.

Ish guvernatori, është i fundit i një liste të gjatë punonjësish dhe ish drejtuesish të Bankës qëndrore të cilët u hetuan për skandalin e vjedhjes. Për pjesën dërrmuese të tyre, gjykata e shkallës së parë është shprehur tanimë me vendime. Muajin maj autori i vjedhjes Ardian Bitraj u dënua me 20 vjet burgim, ndërsa bashkëpunëtorja e tij Mimoza Bruzia u dënua me 15 vjet. Por që të dy përfituan një ulje me një të tjerat të dënimit.

Ndaj zotit Fullani, hetimet përfshinë edhe rastin e blerjes nga ana e Bankës Qëndrore të ish Hotel Dajtit në vitin 2010, për 32 milion euro nga qeveria e asaj kohe. Edhe për këtë rast akuza është po e njejtë, ajo e shpërdorimit të detyrës. Brenda javës, pritet që dosje e plotë e hetimeve t’i dorëzohet Gjykatës së Tiranës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG