Lidhje

Fullani: Perceptohen rreziqe dhe pasiguri


Banka Botërore dhe FMN kanë më shumë se dy vjet që i kërkojnë Shqipërisë të ulë nivelin e borxheve dhe shpenzimeve buxhetore.

Banka e Shqipërisë deklaroi sot se ekonomia ka një ecuri të ngadaltë dhe pritet të mbetet nën potencialet e veta, për shkak të rreziqeve dhe pasigurisë që perceptojnë bankat dhe bizneset për të ardhmen. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 4 për qind, derisa presionet inflacioniste janë të ulëta.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, tha se “4 për qindshi është minimumi historik i normës bazë të interesit. Ekonomia u rrit 2 për qind në tremujorin e dytë, megjithëse sektori i ndërtimit shënoi një rënie të fortë, por pozitivisht ndikoi bujqësia, industria dhe shërbimet. Sipas tij, kërkesa konsumatore nuk është rritur sa vitin e kaluar. Kjo vjen nga pasiguria, mungesa e dinamizmit në tregun e punës dhe mungesa e parave të lira mënjanë.

Nga të dhënat e fundit, eksportet janë rritur, por importet janë ulur, deficiti tregtar është 5,4 për qind, deficiti buxhetor ka filluar të ulet, kërkesa e brendshme për para është ulur, si rrjedhim është ulur edhe qarkullimi i tyre. Guvernatori Fullani tha se bankat janë të dorështrënguara për kredi, këto kanë ecuri të dobët, madje janë ulur më tej në vazhdimësi qysh nga 2011, dhe është ulur më tej kreditimi në valutë.

Banka e Shqipërisë vlerësoi se cilësia e portofolit të kredisë ka rënë, pasiguria për të ardhmen është rritur, por bankat nuk marrin vendime largpamëse në kredidhënien. Sistemi bankar vazhdon të jetë i kujdesshëm në përzgjedhjen e projekteve që financon Sistemi bankar është i mirëkapitalizuar, likuid dhe i aftë të përgjigjet për kredi.

Banka Botërore dhe FMN kanë më shumë se dy vjet që i kërkojnë Shqipërisë të ulë nivelin e borxheve dhe shpenzimeve buxhetore, për të lehtësuar barrën e investimeve të reja në vend, ndërsa rritja ekonomike parashikohet prej tyre të jetë fare minimale.
XS
SM
MD
LG