Lidhje

Funeral emocional për ish presidentin çek, Vaclav Havel

  • Zëri Amerikës

Funeral emocional për ish presidentin çek, Vaclav Havel

Funeral emocional për ish presidentin çek, Vaclav Havel

Çekët dhe udhëheqësit botërorë i dhanë sot lamtumirën e fundit ish presidentit Vaclav Havel me një ceremoni emocionale. Funerali i sotëm i dha fund një jave aktivitetesh për të nderuar dramaturgun disident, udhëheqës i revolucionit të vitit 1989 që përmbysi sundimin komunist në vend.

Nën tingujt e këmbanave të kishave dhe të sirenave, çekët qëndruan një minutë në heshtje për të nderuar kujtimin e Vaclav Havelit, presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike pas "Revolucionit të kadifejtë."

Bashkëshortja e tij Dagmar Havel, pjestarë të familjes, miq dhe udhëheqës nga dhjetra vende u mblodhën sot në Katedralen gotike të Shën Vitus-it mbi Pragë.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton dhe ish presidenti Bill Klinton, presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kryeministri britanik David Cameron, ishin mes disa mijra njerëzve që morën pjesë në funeral.

Presidenti çek Vaclav Klaus, i cili ishte kundërshtari politik i zotit Havel, si dhe dy miq të tij, Ministri i Jashtëm Karel Schwarzenberg dhe ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright – ishin gjithashtu në katedralen e shekullit të 10, ku nuk ishte bërë asnjë funeral shtetëror që nga viti 1875.

Zonja Albright, e cili është me origjinë çeke, tha se zoti Havel do të mungojë por nuk do të harrohet kurrë.

Një mesazh i lexuar në funeral nga ish përfaqësuesi diplomatik i Vatikanit në Pragë, sillte vlerësimin e Papa Benediktit të XVI për zotin Havel.

Ceremonia u mbyll me 21 të shtëna topi dhe me himnin kombëtar çek.Njerëzit duartrokitën, kur arkivoli u përcoll nga një roje nderi përmes portës së katedrales për në krematoriumin Strasnice të Pragës për një funeral familjar privat.

Urna me hirin e Havelit do të vendoset në varrezat e qytetit Vinohrady pranë gruas së tij të parë, Ollga, e cila vdiq në vitin 1996.

XS
SM
MD
LG