Lidhje

Fuqia e trurit vë në lëvizje protezat në ndihmë të personave të paralizuar


Shkencëtarët po studiojnë mundësinë e kontrollit të lëvizjes së protezave me fuqinë e trurit të pacientit

Kontrolli i botës rreth nesh me fuqinë e mendjes është një ëndërr e vjetër e njeriut, e pasqyruar më së miri në veprat e fantashkencës. Tani një çip kompiuterik i vendosur në tru po ndihmon një sportist të paralizuar amerikan të rifitojë aftësinë e lëvizjes së krahëve, duke përdorur një krah robotik që vihet në lëvizje vetëm prej aktivitetit të trurit.

Tim Hemes, ish-lojtar i hokejt, ia ndjen më shumë mungesën gjërave të vogla, si për shembull të ecë përdore me të dashurën, apo të shtrëngojë duart me një mik. Ai e humbi këtë aftësi dhe shumë të tjera, pas një aksidenti me motoçikletë, ku dëmtoi shtyllën kurrizore dhe mbeti i paralizuar.

Tani për herë të parë, Timi është në gjendje ta rifitojë këtë aftësi me anë të një krahu robotik që e kontrollon me forcën e mendjes. Kjo arritje u shënua falë punës së një ekipi shkencor në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Pitsburgut.

Pas aksidentit, Timi u shtrua në spital për më shumë se një vit dhe më pas ishte plotësisht i varur tek të tjerët edhe për nevojat më të vogla:

“Për mua, të marr një gotë me ujë, të hap derën, të ushqehem janë të pamundura. Jam plotësisht i varur nga të tjerët”.

Bazuar në një projekt me majmunë, ekipi shkencor në Universitetin e Pitsburgut po studion nëse një çip kompiuterik që i është vënë në tru mund ta ndihmojë Timin të kontrollojë gjymtyrë artificiale.

Qëllimi kryesor i Timit është të ketë mundësi të përdorë krahët:

“Nëse nuk do të ec më kurrë, nuk do ta kem shumë problem. Por dua patjetër të kem mundësi të përdor krahët”.

Drejtori i projektit, Dr. Michael Boninger shpjegon se si truri i disa pacientëve arrin të dërgojë sinjalet e nevojshme:

“Dikush që do të përdorë krahët, por nuk mundet, e imagjinon një veprim të tillë. Truri vihet në punë dhe qelizat aktivizohen. Ne i regjistrojmë sinjalet e trurit, i deshifrojmë për të kuptuar se çfarë nënkuptojnë dhe si mund t’i shfrytëzojmë për të vënë në lëvizje një pajisje të caktuar”.

Fillimisht Timi mësoi si të përdorte kursorin e kompiuterit, më pas krahun robotik. Ai mbetet i mahnitur sa herë që realizon lëvizjen:

“Krahu është një copë metalike që unë e vë në lëvizje me fuqinë e trurit. Fakti që jam në gjendje që mendimet e mia t’i kthej në lëvizje të krahut metalik është diçka e mrekullueshme për mua”.

Për momentin, rregullat e Administratës së Ushqimeve dhe Ilaçeve e lejojnë mbajtjen e çipit në tru vetëm për 30 ditë. Por Timi beson se është fare pranë dita kur kjo shpikje do të hidhet në përdorim të rregullt. Në Shtetet e Bashkuara, përveç ekipit të Pitsburgut ka edhe plot ekipe të tjera që po studiojnë kontrollin e protezave me fuqinë e mendjes.


XS
SM
MD
LG