Lidhje

Fuqitë botërore të përçara lidhur me Sirinë

  • James Brook

Kriza në Siri përkoi me takimin e sivjetshëm të Grupit të 20-shes të fuqive botërore, zhvilluar në Shën Peterburg të Rusisë. Takimi mblodhi në qytetin historik rus Presidentin amerikan, i cili synon të godasë Sirinë, dhe Presidentin rus Vladimir Putin, aleati më i madh i Sirisë.

Grupi i 20-shes shfaqi dje në mesditë përçarjet që ekzistojnë lidhur me synimet e Shteteve të Bashkuara për të ndëshkuar qeverinë siriane për sulmin me armë kimike kundër popullatës civile.

Në përfundim të takimit të G 20-shes në Shën Peterburg, Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë të mbështetur nga Presidenti Obama dhe dhjetë udhëheqës të tjerë botërorë. Në të thuhej: “Ne mbështesim përpjekjet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për zbatimin e normave ndërkombëtare të ndalimit të armëve kimike”.

Presidenti Obama tha se hapi tjetër për të do të ishte një apel i drejtpërdrejtë para popullit amerikan, përmes një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë të martën. Presidenti kërkon mbështetjen e Kongresit për goditje ajrore kundër objekteve ushtarake siriane.

Në Rusi, ai tha se bota nuk mund të qëndrojë duarkryq kur armë të shkatërrimit në masë përdoren kundër civilëve.

"Nëse nuk i përgjigjemi kësaj shkeljeje të normave ndërkombëtare do t’u dërgojmë një sinjal të gjitha vendeve të papërgjegjshme, regjimeve autoritare dhe organizatave terroriste se mund të përdorin armë të shkatërrimit në masë dhe të mos ndeshin në pasoja”.

Deklarata për masa amerikane kundër Sirisë, u mbështet nga udhëheqësit e Australisë, Britanisë, Kanadasë, Francës, Italisë, Japonisë, Koresë së Jugut, Arabisë Saudite, Spanjës dhe Turqisë.

Gjatë qëndrimit 24 orësh në Rusi, Presidenti amerikan theksoi se operacionet ushtarake do të kenë synim vetëm të ndëshkojnë qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad për sulmin me gaz helmues kundër civilëve.

"Përdorimi i gazit helmues kundër njerëzve të pafajshëm, përdorimi i armëve kimike kundër fëmijëve nuk është i pranueshëm për ne. Këto armë ndalohen në kushte luftrash aktive mes vendeve, aq më tepër kundër fëmijëve. Ne duhet të veprojmë për ta mbështetur këtë parim”.

Zoti Obama nuk ka pranuar të përgjigjet sa herë është pyetur nëse do të sulmojë Sirinë në qoftë se Kongresi nuk e autorizon përdorimin e forcës.

Në Shën Peterburg, Presidenti amerikan u ballafaqua vazhdimisht me qëndrimin e kundërt të Presidentit rus Vladimir Putin. Në një konferencë për shtyp, zoti Putin foli për vendet që janë kundër operacioneve ushtarake:

Ai pyet: Kush është kategorikisht kundër operacioneve ushtarake? Rusia, Kina, India, Argjentina, Brazili, Afrika e Jugut.

Megjithëse shumë vende janë kundër operacioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara, Presidenti Putin ngriti dyshime të tjera lidhur me argumentat për sulm. Ai hodhi dyshime mbi pohimet se janë përdorur armë kimike, dhe më pas ngriti supozimin se nëse ka pasur një sulm të tillë, ai është ndërmarrë nga kryengritësit.

Ai thotë: “Gjithçka që ndodhi me të ashtu-quajtura armë kimike ishte provokacion nga kryengritësit”.

Zoti Putin shprehet se opozita ka përdorur gazin helmues mbi gratë e fëmijët për të provokuar ndërhyrjen e Perëndimit kundër regjimit.

Në përgjigje të pyetjes nëse Rusia do të dërgonte ndihma për regjimin sirian, në rast të një sulmi amerikan, ai tha se Rusia do të vazhdojë mbështetjen me armë dhe në sferën ekonomike.

Rusia i ka vënë veton tre rezolutave për Sirinë në Këshillin e Sigurimit.

Ndërkohë që bota është e përçarë mbi këtë temë dhe mbështetja e Kongresit për operacione është ende në pikëpyetje, Presidenti amerikan duket se ka përballë një betejë të vështirë për të realizuar fushatën e tij ajrore kundër Sirisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG