Lidhje

Furnizimet botërore të ushqimit në krizë

  • Selah Hennessy

Furnizimet botërore të ushqimit në krizë

Furnizimet botërore të ushqimit në krizë

Bota po ndeshet me një krizë ushqimore, sipas organizatës ndërkombëtare Oxfam, e cila kohët e fundit filloi një fushatë për zgjidhjen e kësaj sfide.

Organizata Oxfam thotë se 925 milionë njerëz vuajnë nga uria në të gjithë botën. Në Afrikën lindore, thotë ajo, 8 milionë njerëz përballen me mungesa kronike ushqimi.

Gauejn Kripke, drejtor i politikave dhe studimeve pranë degës së organizatës Oxfam për Amerikën, i tha Zërit të Amerikës, se nëse gjërat vazhdojnë siç janë tani, problemi do të thellohet.

“Kriza në horizont tregon se çmimet mund të dyfishohen gjatë 20 vjetëve të ardhshme, çka mund të rrisë numrin e njerëzve që vuajnë nga uria.” - thotë ai

Popullsia e botës po rritet. Ekspertët parashikojnë se deri në vitin 2050 numri i popullsisë do të arrijë në 9 miliard. Për më tepër, ndërkohë që njerëzit nëpër botë pasurohen, dieta e tyre po ndryshon.

Është rritur kërkesa për mish dhe bulmet, prodhimi i të cilave kërkon më shumë tokë bujqësore dhe burime të tjera.

Sipas organizatës Oxfam, kërkesat për prodhimin e ushqimit do të rriten me 70 për qind gjatë katër dekadave të ardhshme.

Por ajo thotë se kapaciteti i botës për të prodhuar ushqim po bie. Ritmi i rritjes në prodhime bujqësore, thotë kjo organizatë, thuajse është përgjysmuar që nga viti 1990 dhe ajo që po e rëndon situatën është fakti se shumë prej të korrave po përdoren për prodhimin e biokarbureve.

Situata është e keqe, thotë zoti Kirpke, por jo pa zgjidhje.

Ai thotë se tani vetëm disa biznese të mëdha e kontrollojnë tregun ushqimor. Ai thotë se një prirje e re drejt bizneseve më të vogla do të zgjidhte shumë problem:

“Ne mendojmë se potenciali i zhvillimit dhe prodhimtarisë nga investimi tek fermerët e vegjël është shumë i lartë. Kështu mund të rrisësh prodhimin e ushqimit duke ndihmuar në të njëjtën kohë njerëzit që kanë nevojë dhe që janë më të pambrojtur përballë çmimeve të ushqimit dhe ndryshimit të klimës në të njëjtën kohë.”

Hajdi Çou punon pranë Lëvizjes për Zhvillimin e Botës, një grup me qendër në Britani.

Ajo ofron një zgjidhje tjetër. Një pjesë e madhe e krizës së ushqimeve thotë ajo e ka zanafillën tek tregjet.

Ajo thotë se çmimet e ushqimeve janë shumë të paqëndrueshme sepse shitblerjet në bursë të prodhimeve ushqimore të së ardhmes kanë krijuar mundësi të mëdha fitimi për investitorët.

Dhe, ashtu sikurse me tregun e shtëpive, thotë ajo, kjo formë të vlerësuarit të çmimeve, nuk pasqyron vlerën e tyre reale të bazuar tek kërkesa dhe oferta e vërtetë.

“Gjatë viteve të fundit kemi parë ngritje dhe ulje të mëdha. Prandaj, edhe pse ka faktorë të tjerë që ndikojnë, spekullimet i ekzagjerojnë këta faktorë duke i rritur çmimet më shumë seç duhet të ishin.”

Ajo thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po i rishikojnë ligjet për shitblerjet në bursë të prodhimeve bujqësore për të ardhmen. Ky është kyçi thotë ajo, megjithëse do të jetë një betejë e vështirë.

Kejt Bejli është eksperte ushqimi në Fakultetin Britanike të Biznesit Kardif. Sipas saj, ndikimi i tregut është i kufizuar dhe nuk ka lidhje me krizën afatgjatë të ushqimit që është zhvilluar gjatë shumë viteve.

Ajo thotë se për zgjidhjen e krizës ushqimore nevojiten përpjekje politike globale:

“Ka të bëjë me elemente politike. Për shembull, ndalimet e eksporteve, ashtu siç bëri Rusia kur ndaloi eksportin e grurit, duke shkaktuar rritjen e çmimeve. Pra duhet një përpjekje e bashkërenduar globale për gjetjen e një zgjidhjeje.”

Sipas organizatës Oxfam, ekzistojnë rreth 500 milionë ferma të vogla në vendet në zhvillim. Grupi thotë se investimet e ardhshme duhet të bëhen pikërisht në këto biznese.

XS
SM
MD
LG