Lidhje

Fushata më e madhe e donacioneve në botë

  • Ardita Simicia

Rritja ekonomike këtu në Shtetet e Bashkuara ende nuk po tregon energjinë e nevojshme për të kapërcyer plotësisht krizën. Papunësia mbetet e lartë, bizneset mbeten të pasigurta dhe të rezervuara në operimet e tyre. Kjo klimë ekonomike ka rënduar dukshëm tek organizatat bamirëse, të cilat janë detyruar të reduktojnë shumë operacione për mungesë fondesh. Por ka edhe shembuj optimistë. Kolegia Ardita Simiçia na njeh me fushatën më të madhe të donacioneve në botë, e organizuar, drejtuar dhe mbështetur plotësisht nga punonjësit qeveritarë:



Në korridorin kryesor të Zërit të Amerikës, një pazar i vogël është në operim. Është një pamje mjaft e zakonshme në agjencitë e qeverisë federale amerikane në muajt e fundit të vitit, kur zhvillohet fushata federale e donacioneve. Është një traditë prej disa dekadash, e përqafuar nga punonjës federalë në të gjithë vendin në emër të bamirësisë.

Çdo gjë në këto aktivitete, libra, lodra, artikuj shtëpiakë e veshmbathjeje, të reja ose të përdorura, si dhe energjia dhe koha për të organizuar këto aktivitete ofrohet në mënyrë vullnetare, me synimin për të grumbulluar fonde për shoqatat bamirëse. Ky operacion modest është pjesë e fushatës më të madhe dhe më të suksesshme bamirëse në botë.

Vicky Brimmer kryeson fushatën për grumbullim fondesh në Byronë e Transmetimeve Ndërkombëtare, ku bën pjesë edhe Zëri i Amerikës:

“Gjatë 50 vjetëve që ka qenë në ekzistencë kjo nismë, ka grumbulluar 7 miliardë dollarë për bamirësi në të gjithë botën”.

Amerikanët njihen për shpirtin bamirës dhe sektori joqeveritar ofron mundësi të shumta për të treguar zemërgjerësinë. Megjithatë, për punonjësit qeveritarë, Fushata e Bashkërenduar e Donacioneve, CFC, mbetet forma e preferuar. Julie Farnam, specialiste pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare, vlerëson thjeshtësinë e procesit:

“Është shumë e lehtë të japësh përmes CFC-së. E mbush formularin në tavolinën e punës, ose përmes kompiuterit. Mund të zgjedhësh nga një listë me 4400 shoqata bamirëse. Me këtë larmi që ofrohet, të gjithë kemi diçka që na prek, që e ndjejmë me pasion”.

Zgjedhjet e Juliet reflektojnë përvojën e saj jetësore:

“Dhuroj fonde për disa shoqata. Një prej tyre është Fondacioni Kombëtar për Veshkat, pasi i kam dhuruar dikujt një veshkë. Dhuroj gjithashtu për Shoqatën Humane, që mbron kafshët, pasi kam mace vetë që i mora nga kjo shoqatë”.

Fushata CFC u ofron shumë njerëzve mundësinë për të shprehur mirënjohjen për bamirësinë e të tjerëve. Ana punon për Zyrën e Zërit të Amerikës për Zhvillimin:

“Gjatë fëmijërisë sime në Rumani, gjatë komunizmit, shoqata Worldvision, një ndër shoqatat që përfitojnë nga donacionet përmes CFC-së, ndihmoi familjen time. Donacioni që jap është mënyra për të shprehur mirënjohjen time”.

Përveç përvojës vetjake, H. Brandon Haller, i cili drejton Komisionin Lokal Federal të Koordinimit, sheh një motiv më të gjerë nga punonjësit qeveritarë e që e bën CFC-në një sukses kaq të madh:

“Në radhët e punonjësve qeveritarë ekziston fryma e shërbimit publik. Ne nuk kemi hyrë në këto punë për të bërë para. Ka plot njerëz që mund të gjejnë punë me paga më të larta në sektorin privat; ne jemi këtu se duam t’i shërbejmë publikut”.

Nuk është e rastit që periudha më e frytshme e programit vjen menjëherë pas Ditës së Falenderimeve, kur njerëzit janë takuar me të afërmit e kanë reflektuar mbi kuptimin e vërtetë të sezonit të festave. Në javën e fundit të nëntorit donacionet vërshojnë. Ana Ward beson në forcën magjike të bamirësisë.

“Nëse jeni individ spiritual, ka njerëz që mund të mos e besojnë, por unë besoj me plot zemrën, se ndjell mirësi kur jep dhe ndihmon të tjerët”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG