Lidhje

Vazhdon fushata: Clinton shpalos planin ekonomik


Fushata zgjedhore po vazhdon këtu në Shtetet e Bashkuara. Kandidatja demokrate Hillary Clinton prezantoi planin e saj ekonomik, ndërsa rivali i saj republikan, Donald Trump iu rikthye akuzave të tij se grupi ekstremist Shteti Islamik ishte themeluar nga zonja Clinton dhe Presidenti Barak Obama:

Në komentet që bëri dje në Florida, zoti Trump tha se ishte vendimi i Presidentit Barak Obama për t’u tërhequr nga Iraku që çoi në themelimin dhe më pas përhapjen e Shtetit Islamik:

“Aktualisht ISIS, siç u konfirmua sot, është i pranishëm në 28 shtete. Pak kohë më parë ishin në tetë shtete, tani janë në 28. Po përpiqen ta fshehin këtë fakt, ma merr mendja administrata Obama do ta fshehë. Por sot doli se çfarë po ndodh. ISIS po forcohet dhe po zgjerohet. E kam thënë edhe më parë, Barak Obama është themeluesi i kësaj organizate,” tha zoti Trump.

Ndërkaq, Hillary Clinton ishte në Warren të shtetit Miçigan, ku prezantoi zyrtarisht planin e saj ekonomik. Ajo kishte folur më parë për elementë të këtij plani gjatë fjalimeve të fushatës. Dje, ajo e përdori tubimin edhe për të sulmuar propozimet ekonomike të rivalit të saj:

“Nga ato që dimë nga fushata e zotit Trump, ai do që Amerika të punojë për të dhe miqtë e tij në kurriz të të gjithë të tjerëve. Ai nuk ka prezantuar ndonjë plan të besueshëm për të zgjidhur problemet aktuale të familjeve amerikane. Asgjë për borxhet studentore, apo koston e ilaçeve me recetë. Asgjë për fermerët, apo për komunitetet rurale në nevojë. Asgjë për të krijuar mundësi për të rinjtë, vetëm një variant më ekstrem të teorisë së dështuar se kur avancon kapitali mbetet diçka për të gjithë, zbukuruar me idetë trampiane, që i kanë hedhur poshtë edhe vetë republikanët,” tha zonja Clinton.

Po dje, për të dytën herë këtë javë, një grup republikanësh të lartë thanë se nuk do ta mbështesin Donald Trumpin për president. Mbi 70 anëtarë të partisë, ndër ta edhe ish-zyrtarë të lartë të administratave Reagan, dhe administratave të dy ish-presidentëve Bush i dërguan një letër kryetarit të Komitetit Kombëtar Republikan, ku kërkojnë të mos përdoren fonde republikane, energji kohore dhe njerëzore për të mbështetur Donald Trumpin, por të përdoren për kandidatët republikanë për Kongres, pasi shanset që Trumpi të fitojë, thonë ata “po avullojnë përditë e më shumë”.

XS
SM
MD
LG