Lidhje

Afrika e Jugut dhe Kampionati Botëror


Kur Afrika e Jugut fitoi të drejtën për të organizuar Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2010, ajo u premtoi qytetarëve përfitime afatgjata, shoqërore dhe ekonomike. Por shpenzimet tepër të mëdha që shoqërohen me një aktivitet të tillë sportiv kanë qënë një objekt debati në vend dhe kanë bërë që të ngrihen pyetje nëse këto shpenzime patën ose jo ndonjë vlerë për Afrikën e Jugut. Emilie Iob njofton nga Afrika e Jugut.

Çdo ditë pas shkollës, rreth 80 fëmijë luajnë në një fushë futbolli në qendër të lagjes Hillbrow, një prej zonave më famëkeqe të Johanesburgut. Stadiumi u dhurua nga ekipi hollandez i futbollit dhe fondacioni Johan Kruif për kampionatin e 2010-s. Ajo është një prej trashëgimive më mbresëlënëse të atij aktiviteti sportiv. Në një prej mureve të stadiumit janë shkruar rregullat e lojës, që duhen ndjekur nga fëmijët - respekt, lojë pa hile dhe angazhim shoqëror.
Traineri John "Bull" Sibeko thotë se përveç krijimit të kësaj mundësie, ky sport ka ndryshuar sjelljen e fëmijëve për mirë.

“Para se të filloja punën këtu as që mund ta mendoja se do të qëndroja më shumë se një vit, sepse fëmijët nuk ndjeheshin rehat. Ata ishin mësuar me një ambjent tjetër, me një nivel të lartë vandalizmi, talljen e njeri tjetrit e të tjera sjellje të tilla. Por tani nuk mund të vësh re ndonjë ndryshim nga ekipet e tjera për sa i përket sjelljes, kulturës dhe respektit që tregojnë këta fëmijë”.

Infrastruktura e re dhe e përmirësuar sportive nuk është i vetmi përfitim nga Kampionati Botëror. Në lagjen fqinje Bertrams, zonë e pllakosur për një kohë të gjatë nga krimi dhe varfëria, transporti publik është përmirësuar, siç shpjegon punonjësi social, Phindile Tshabangu.

“Ky është sistemi i ri me autobuz. Njerzit e përdorin atë sepse është më i shpejtë, më i sigurtë dhe më i lirë”.

Rrugët e asfaltuara dhe me drita, parqet e reja dhe rrugët e pastra janë qartazi përfitime nga Kampionati Botëror. Por sifida tani është që këto përmirësime të çohen më tej dhe zoti Tshabangu thotë se kjo nuk ka ndodhur në disa prej tyre.

“Në vitin 2010 policia vinte këtu, por jo më. Kishte siguri dhe shikoje kudo njerëz, të cilët nuk i shikon më”.

Mirëmbajtja e 5 stadiumeve, që u ndërtuan për Kampionatin përbën problem. Shumica e tyre mezi nxjerrin ndonjë fitim dhe e kanë të vështirë të paguajnë për mirëmbajtjen.

Stadiumi i ri Pika e Gjelbër në Kejp Taun është shndëruar në një pikë të rëndësishme të qytetit dhe çdo ditë turistë nga e gjithë bota vijnë për vizitë. Por për turistin nga Brazili, Danilo Camargo, vendi i të cilit do të organizojë kampionatin e ardhshëm botëror pas dy vjetësh, Afrika e Jugut nuk përbën një shembull që duhet ndjekur.

“Mendoj se ne duhet të ndërtojmë shkolla dhe spitale në vend të stadiumeve. Por tani ne jemi zgjedhur të organizojmë Kampionatin Botëror të 2014-tës dhe na duhet të ndërtojmë dhe të bëhemi gati”.

Kostoja totale e Kampionatit Botëror arriti në 3.6 miliardë dollarë, 10 herë më tepër se sa shuma e planifikuar fillimisht. Grant Pascoe, i cili merret me turizmin dhe marketimin për Kejp Taunin, nuk mohon vështirësitë me të cilat përballet qyteti, por thotë se ata punojnë shumë për ta bërë stadiumin një qendër fitimi.

“Ne kemi pasur një numër aktivitetesh. Është e qartë se do të donim të kishim më shumë aktivitete, por duhet të përgatiteshim më mirë për shfrytëzimin e stadiumit pas kampionatit. Tani jemi në proces e sipër për të bërë çdo gjë që duhet të bëjmë, megjithëse kemi disa kufizime për sa i përket zhvillimit të aktiviteteve komerciale, që do të na sillnin më shumë përfitime”.

Megjithë debatet, shumica e banorëve të Afrikës së Jugut janë të një mendimi se Kampionati Botëror i Futbollit forcoi marrëdhëniet shoqërore në këtë vend me një histori të ndarjeve të thella racore. Madje, infrastruktura duhet të vihet përsëri në përdorim vitin e ardhshëm, ndërsa Afrika e Jugut organizon Kampionatin e Vendeve Afrikane.
XS
SM
MD
LG